Bekim Haxhiu, sa njerëzve ua ke ngrirë buzëqeshjen?

24.10.2016 20:34:27

Nga Rexhep Kastrati

Bekim Haxhiu – “Kamishi” ia paska zënë për të madhe ministrit Imet Rrahmani pse në një foto paska buzëqeshur! Në rastin e parë, do të mund të kthehej me kundërpyetje: po nëse kaq shumë po të djeg zemra pse ministri Rrahmani paska buzëqeshur, mos je këtu për t’ua ngrirë buzëqeshjen të tjerëve? Dhe sa njerëzve ua ke ngrirë buzëqeshjen, Bekim Haxhiu? Ku e ka burimin kjo mungesë durimi ndaj buzëqeshjes: te arrestimet masive në rastin “stenda”? Apo në mënyrë të veçantë për Gani Bajraktarin? He mo Bekim Haxhiu, na thuaj ndonjë llaf, pse njerëzit nuk duhet të buzëqeshin? Bekim Haxhiu, unë kam një vajzë, e cila më 9 dhjetor i mbush 12 vjet, dhe ka që nga viti 2008 që as nuk ecën, as nuk flet, as nuk shërbehet vetë. Pra, është në gjendje të paaftësisë psiko-fizike, apo siç po quhen, person me aftësi të kufizuar. I kam edhe pesë fëmijë të tjerë, dhe asnjërit nuk po mund t’ia zë për të madhe pse buzëqeshin. Dhe a e din pse? Sepse buzëqeshja, ose mosbuzëqeshja nuk ia zgjidh hallet, as nuk ia përmirëson gjendjen. Gjendja përmirësohet, aq sa mund t’u përmirësohet, vetëm me një sektor shëndetësie më të avancuar. Dhe këtu është thelbi i problemit për personat si vajza ime dhe si fëmijët e shumë prindërve të tjerë, sepse sektori i shëndetësisë është thellësisht i sëmurë nga kapja e thellë. Dhe ata që kanë kontribuar në këtë gjendje, kanë pasur mbështetjen e fortë të Qeverisë së Hashim Thaçit. Me e lyp hollë e hollë, ndoshta del se e kanë pasur edhe mbështetjen tënde. Rasti “Stenda” është vetëm një nga rastet e rënda që janë krijuar gjatë viteve. Dhe aty është edhe Gani Bajraktari, i cili ka pasur funksione të larta në QKUK. Me siguri të kujtohet Gani Bajraktari! Po Curr “Prontoja” të kujtohet? Dhe rasti “Stenda”, ka prekur njerëzit në shpirt (zemër), se njërëzve u janë dhënë diagnoza të rrejshme dhe u janë prerë arterie për t’ua zëvendësuar me stenda. Kjo jo që ta ngrin buzëqeshjen, por edhe ta ndal frymën. Dhe nuk është fjala vetëm për rastin “stenda”, por është rasti edhe për sektorin farmaceutik, sektor që kërkon një hetim të thellë se si funksionon, nga kush kotrollohet dhe çka u ofrohet pacientëve. Bekim Haxhiu, a mund ta marrësh me mend një i sëmurë me diabet që ka një shkallë të rënduar dhe shërbehet me insulina të ngrira e të shkrira dhe të ngrira përsëri? Pyete ndonjë doktor dhe të tregon se çka do të thotë që insulinat që vijnë nga shtete të dyshimta dhe që presin me javë në doganë dhe shkrihen, e pastaj ngrihen sërish. Unë di të sëmurë nga diabeti që marrin deri në 60 doza insuline, edhe pse duhet t’i marrin 20 sosh. Dhe i marrin, sepse cilësia e tyre është shkatërruar. Dhe këto raste jo që ta ngrijnë buzëqeshjen, por edhe të lënë pa frymë…