Bekteshi: Investitorët e huaj dhe vendor do të trajtohen në mënyrë të barabartë

27.07.2017 17:53:06

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, së bashku me ekipin ekonomik qeveritar, mori pjesë në takimin me anëtarët e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore. Në takim siç thuhet në kumtesën e kabinetit të ministrit, është diskutuar për politikat ekonomike, masat ekonomike të parapara në programin e qeverisë dhe sfidat me të cilat ballafaqohet komuniteti i biznesit.

Ministri Bekteshi tha se kompanitë vendore, nga tash e tutje do të gëzojnë të njëjtat privilegje me ato të huaja.

“Duke u nisur nga fakti se investimet janë gjeneratori i ekonomisë, puna e parë që kemi synuar ta realizojmë është të arrijmë t’i nxisim investimet vendore, paralelisht me ato të huajat, duke ofruar trajtim të barabartë të investuesve”, tha Bekteshi.

Ai gjithashtu potencoi se në fokus të programit ekonomik të qeverisë është zhvillimi i ndërmarrjeve vendore, para se gjithash i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.