Belul Beqaj: Samiti i Berlinit moment i duhur për arritjen e kompromisit...

Belul Beqaj: Samiti i Berlinit moment i duhur për arritjen e kompromisit mes Kosovës dhe Serbisë

13.04.2019 11:02:30
Njohësi i çështjeve politike në Kosovë, Belul Beqaj, në një intervistë  ka folur rreth Samitit të Berlinit, i cili pritet t’i përballë liderët e Kosovës dhe ata të Serbisë.

Beqaj thotë se  Samiti i Berlinit është një moment i duhur që të arrihet një kompromis mes atyre që insistojnë që të hiqet tarifa dhe atyre që insistojnë që zgjidhja e problemit definitiv mes Kosovës dhe Serbisë të bëhet brenda kufijve ekzistues.

“Meqë kemi të bëjmë me një takim të lidershipit me ndikim të jashtëzakonshëm në kuadër të Bashkimit Evropian, dhe me përfaqësuesit me ndikim te jashtëzakonshëm në Kosovë dhe Serbi, të cilët edhe kanë pikëpamje të ndryshme rreth vazhdimit të dialogut e veçmas zgjidhjes së korrigjimit të kufirit”.

“Shpresoj që është momenti i duhur që të arrihet një kompromis mes atyre që insistojnë të hiqet tarifa dhe atyre që insistojnë që zgjidhja e problemit definitiv mes Kosovës dhe Serbisë të bëhet brenda kufijve ekzistues. Ky do të ishte ndoshta argumenti dhe arsyeja më e fortë e këtij takimi dhe që e arsyeton pjesëmarrjen e lidershipit nga Kosova dhe Serbia”, ka deklaruar Beqaj.

I  pyetur se a do të bëjë Gjermania presion për heqjen e taksës, dhe që të vazhdohet dialogu Kosovë-Serbi, Beqaj thotë se do të ndodhë një kompromis dhe që s’ka të bëjë më presion.

“Nuk besoj që do të jetë në pyetje presioni i Merkelit, do të jetë një argumentim racional politik, që nënkupton kompromisin e duhur që do të thotë të mos jetë tarifa e vendosur për vazhdimin e procesit që nënkupton zgjidhjen në kuadër të kufijve ekzistues, që mund të përfundojë me një epilog të përmirësimit të kualitetit të raporteve mes shumicës dhe pakicës në kuadër të kufijve ekzistues të Kosovës”.

Takimi mes liderësh të Ballkanit Perëndimor është organizuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel si dhe presidenti francez Emanuel Macron ndërsa do të mbahet më 29 prill në Berlin.