Ben Blushi peng i librave të lexuar keq, dhe i historisë së keqkuptuar

07.01.2017 18:43:40

Nga Rexhep Kastrati

Ben Blushi, një gazetar që me t’iu dhënë rasti u fut në politikë, ku pretendoi dhe pretendon më shumë sesa në gazetari, vazhdon të jetë peng i librave që ka lexuar, por edhe i keqkuptimit të historisë. I biri i Kiço Blushit, i njohur te ne për romanin për fëmijë “Beni ecën vetë”, por edhe për filmin me të njëjtin titull, Beni ka humbur rrugën si në politikë, edhe në letërsi, edhe në gazetari, pasi që politikën po e merr si letërsi, letërsinë si politikë, e gazetarinë si të dyja bashkë. Prandaj, edhe thuajse vazhdimisht del shumë poetik në publicistikë, dhe shumë publicist në politikë, dhe shumë politikan në letërsi. Kështu ndodhi edhe me rastin e zhgënjimit që i kishte shkaktuar Albini, të cilin e kishte quajtur njeri të ndikuar nga librat, por edhe më pas lidhur me debatin për çështjen e paqenë të kombit shqiptar dhe të kombit kosovar, kur pat thënë se Kosova duhet të pavarësohet edhe nga Shqipëria, sikurse nga Serbia, por edhe tash në rastin e Ramush Haradinajt, për të cilin ka thurur një prozë poetike që lidhje nuk ka me të vërtetën.

Rastin e arrestimit të Ramush Haradinajt, Ben Blushi e sheh si rast që ka të bëjë me të ardhmen e vendit dhe të demokracisë, kurse vetë Ramushin e sheh si personalitet përcaktues për këtë. Në fakt, arrestimi i Ramushit nuk është aspak poetik siç e paraqet Ben Blushi, i cili vazhdon të shohë realitetet socio-politike dhe socio-historike si në filmat partizanë me gjermanë, por është shumë prozaik dhe fatkeqësisht shumë i vrazhdë si rast. Dhe kur them këtë, kam parasysh faktin se arrestimi i Ramush Haradinajt është bërë pas rritjes së agresivitetit të Beogradit në raport me Kosovën, kur doli hapur si autore reale e zhvillimeve anarkiste jo vetëm kundërdemokratike, por edhe kundërshtetërore dhe kundërkombëtare, pjesë e të cilave ishte dhe me një tërheqje taktike, vazhdon të jetë edhe sot e gjithë ditën edhe vetë Ramushi. Po ashtu, arrestimi i Ramush Haradinajt është bërë në kushtet e thellimit të provokimeve të Serbisë ndaj Kosovës me qëllim të destabilizimit të saj, pjesë e të cilave vazhdon të jetë opozita e sotme, PDK dhe korpuesi medietik në Kosovë. Ramush Haradinaj, për fat të keq, nuk është heroi për të cilin flet Blushi, sepse edhe e kaluara e luftës, edhe e pasluftës, dhe edhe e sotmja atë dhe në tërësi linjën e Tiranës/Kretës, i paraqesin si antiheronj që jo pak herë kanë frymëzuar dhe kërcënuar me luftë vëllavrasëse. Angazhimet e tij gjatë dy viteve të fundit, ndërkaq, kanë qenë angazhime të një kapobande që u prin bandave që lëkundin jo vetëm themelet e demokracisë, por edhe themelet e shtetit. Mospranimi  de facto i rezultatit të zgjedhjeve dhe i faktit që nuk është ai kryeministër, ka bërë që ai të cenojë rëndë jo vetëm funksionimin demokratik të institucioneve dhe të shoqërisë, por edhe në tërësi rendin kushtetues të shtetit të Kosovës. Dhe kjo i ka kushtuar tepër shumë Kosovës dhe konsolidimit të saj si shtet, por edhe pranimit të saj si shoqëri demokratike, për të cilën shkruan Ben Blushi. Vitin e kaluar Kosova humbi mbështjetjen e shumë shteteve që e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës kur u diskutua kërkesa e saj për pranim në UNESCO pikërisht për shkak të angazhimeve kundërdemokratike dhe kundërshtetërore në krye të të cilave ishte edhe Ramush Haradinaj. Dhe këto jo që nuk e bëjnë fare hero, por në fakt e bëjnë antihero, dhe kjo është për faktin se si i tillë ka hyrë në organizimin ushtarak të Kosovës dhe në tërësi në angazhimet e tij politiko-institucionale. Beni që kurrqysh nuk po ecën vetë, por me hijen e filmave partizanë me gjermanë, ende nuk e ka të qartë se në Zonën e Dukagjinit ishte përdorur keqas nga Hashim Thaçi dhe të tjerët, pra edhe nga Qeveria e partisë ku ishte deri tash vetë Beni, për të nxitur luftë vëllavrasëse me njësitet ushtarake të Republikës së Kosovës. E Ramushi, për fat të keq, nuk ka arritur, sepse nuk mundet dhe nuk di, që të shkëputet nga e kaluara e këtillë, por përkundrazi e ka thelluar atë. Zhvillimet socio-politike kanë dëshmuar se në raport me Hashimin, Ramuhsi është vetëm një servil, kurse është shumë tekanjoz dhe batakçi kur bëhet fjalë për LDK-në dhe lidershipin e saj. Në fakt, Ramush Haradinaj, në skenën politike shqiptare është si Xha Vani, që vdes për nji çikë kryeministër. Edhe rasti i Kumanovës është shumë problematik për të pasi që aty janë vrarë veprimtarë të partisë së tij. Dhe ka dyshime se atje janë çuar për t’u eliminuar si dëshmitarë të mundshëm të Gjykatës speciale. Pra, ajo që shkruan Ben Blushi është shumë më poetike sesa romanet që ka bërë, dhe që më shumë ngjajnë në publicistikë politike me mjete letrare.

Në fakt, edhe për këtë rast, duhet të jemi realistë dhe në përputhje me kontekstin socio-politik e gjeopolitik, e të mos thurim poetzi apo proza poetike, sepse nuk i ndihmojnë as Ramushit, as vendit. Duhet të kemi parasysh pikërisht angazhimet e hapura të Serbisë për të rrëzuar Qeverinë e Kosovës, dhe për ta futur Kosovën në një krizë të thellë stabiliteti dhe të ekzistencës së saj. Dhe për Serbinë është shumë me rëndësi të mbajë në skenë politike dhe publike të Kosovës të gjithë ata që përvëlohen për të përmbysur Qeverinë, qoftë se ëndërrojnë të bëhen kryeministra, qoftë se janë pjesë e skenarëve serbo-rusë për destabilizimin e Kosovës. Natyrisht, motivet që e shtynë Ramushin të përvëlohet për ta rrëzuar Qeverinë lidhen me dëshirën e tij për t’u bërë kryeministër, kurse ato të Albinit lidhen me platformën e përbashkët me Serbinë për ta ndarë Kosovën qoftë drejtpërdrejt, qoftë edhe duke e rikthyer në gjendjen para vitit 2008.  Dhe këto dallime, krahas humbjes së shpresës se Albini do e bënte kryeministër, bënë që Ramushi të largohej nga Albini dhe të deklaronte se nuk do të bënte koalicion me të. Dhe arrestimi është një mënyrë për t’ia përmirësuar imazhin, por edhe për të bërë bashkë përsëri të gjithë ata që janë për përmbysjen e shtetit. Dhe në këto angazhime, lidhje nuk ka proza poetike e Ben Blushit, i cili vazhdon të jetë peng i librave që me gjasë nuk i ka kuptuar si duhet, por edhe i historisë që, po ashtu, e ka keqkuptuar.