Beqa: Do vazhdojë kontributin tim në PDK për të mirën e qytetarëve

07.11.2019 22:58:23

Hajdar Beqa, kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e PDK-së, nuk do të jetë pjesë e legjislaturës së re.

Pavarësisht se mori 8 mijë e 75 vota, Hajdar Beqa nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), nuk do të jetë pjesë e legjislaturës së re.

Në një prononcim për lajmi.net, Beqa ka thënë se e vlerëson lartë vullnetin e qytetarëve dhe se do të vazhdojë angazhimin e tij në PDK për të mirën e të gjithë qytetarëve.

“Unë fillimisht i falënderoj të gjithë qytetarët që më kanë votuar sepse për mua ka qenë kënaqësi që të jem kandidat për deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës në listën e Partisë Demokratike të Kosovës. Unë ndihem shumë i privilegjuar dhe përgjegjës për votuesit e mi që më kanë votuar. Janë mbi 8 mijë qytetar të Republikës së Kosovës, respektivisht të strukturave dhe simpatizantë të Partisë Demokratike që më kanë votuar për deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, u shpreh Beqa për lajmi.net.

Ai ka thënë se pavarësisht që nuk do të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës, do të vazhdojë të jetë aktiv në parti dhe se këtë e ndjen si obligim ndaj qytetarëve që e kanë votuar.

“Votat të cilat unë i kam marrë nuk janë të mjaftueshme që të kaloj pragun që të jem deputet, por janë të mjaftueshme për me qenë në fuqi për me qenë pjesë e strukturave të partisë demokratike me dhanë kontributin përmes Partisë Demokratike do të thotë për një jetë më të mirë për qytetarët. Unë do të vazhdoj angazhimin tim dhe rrugën time politike sepse më bëjnë përgjegjës të gjithë ata qytetarë që më kanë votuar. Është normale që në garë nuk mund të fitojnë të gjithë. Kjo ka qenë kuota në Partinë Demokratike dhe ka qenë gara pak më e madhe do të thotë në subjekte të tjera në numër më të vogël të vota kanë hyrë në Kuvend, por te ne ka qenë kjo kuota dhe unë duhet ta respektoj dhe janë rregullat e demokracisë dhe jam falënderues ndaj të gjithë qytetarëve që më kanë votuar”, ka thënë Beqa për lajmi.net.

Duhet theksuar se në bazë të rezultateve që ka shpallur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Partia Demokratike e Kosovës (PDK), është radhitur e treta dhe se në Kuvendin e Kosovës do të përfaqësohet  nga 25 deputetë.