Beqaj: Tjetër investim 750 milionë lekë për infrastrukturën e spitalit të Traumës

27.12.2016 14:22:15

Vijojnë ndërhyrjet për përmirësimin e infrastrukturës në Spitalin Universitar të Traumës. Aktualisht, janë duke u kryer punimet për rikonstruksionin e disa mjediseve në mënyrë që, në pranverën e ardhshme ky spital të ketë një Shërbim Fizioterapie, Shërbim Farmacie, si dhe një mjedis pritës më dinjitoz për pacientët.

Pas ndërhyrjeve në pjesën ku do të jetë i gjithë poli i imazherisë për pacientët e shtruar në spitalin e Traumës, në urgjencë, në sallat e operacioneve, por edhe për përmirësimin e ndjeshëm të sistemit elektrik dhe atij të aspirimit, Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj inspektoi ecurinë e punimeve të projektit të ri, teksa u shpreh se janë 750 milionë lekë të tjera, që po investohen në këtë spital, duke përfshirë ndërhyrjet në infrastrukturë si dhe blerjen e disa materialeve mjekësore.

“Janë 500 milionë lekë që po investohen për këto ndërhyrje në infrastrukturë, rikonstruksion mjedisesh, të shoqëruara me 200 milionë lekë të tjera pajisje mjekësore; janë dhe 50 milionë (lekë) pajisje të tjera ndihmëse, kështu që janë 750 milionë me të cilat ne në pranverë do të kemi në këtë spital, një Fizioterapi më të mirë, më të kompletuar dhe më efiçente, një mjedis më optimal për të administruar barnat dhe materialet mjekësore, por edhe një mjedis pritës, informues, dinjitoz, qoftë për ata që vijnë si pacientë për vizitat ambulatore, apo edhe për familjarët e tyre”, theksoi Ministri Beqaj.

Kreu i Shëndetësisë falënderoi mjekët dhe infermierët e këtij spitali për punën dhe rezultatet e arritura gjatë këtij viti që po lemë pas, duke shtuar se 2017-a do të shohë realizimin e projekteve shumë më të mira dhe shumë më të mëdha për këtë qendër të rëndësishme universitare spitalore në vend.