Berat Buzhala, a je i sigurt se babai yt nuk ka qenë njeri i UDB-SDB-së?

09.09.2016 21:11:23

Nga Rexhep Kastrati

“Express” i Berat Buzhalës po vazhdon të merret me etërit dhe të bijtë, duke e rikthyer mendësinë komuniste dhe udbashe të ndëshkimit të fëmijëve për shkak të sjelljeve dhe veprimeve të etërve. Kësaj radhe zgjodhi zëdhënësin e komunës së Prishtinës, Erzen Vraniqi, i cili është i biri i Hamdi Vraniqit, i cili sipas “Express” që i referohet  një deklarate të Sava Janjiqit të dhënë Radios Evropa e Lirë, paska ndryshuar planin urbanisitik dhe ia paska dhënë lejen për ndërtimin e kishës në kompleksin universitar të Universiteti të Kosovës. Dhe sipas Sava Janjiqit kjo paska ndodhë më 27 shtator 1990. Unë nuk dua të hyj në debat nëse ka qenë kështu, pasi që kjo mund të verifikohet fare lehtë nga dokumentet e kohës, por ajo që po më bën përshtypje është zelli i “Express” për t’u marrë me baballarët për të sulmuar të bijtë. Por, vetë Berati, kur të tjerëve ua përmend baballarët, a kujtohet vetë për babain  e tij? Dhe kur them këtë kam parasysh disa pyetje, të cilave Berati duhet t’u japë përgjigje:

  1. Babai i tij, Bashori a ka qenë njeri i UDB-së?
  2. A ka punuar babai i tij, Bashori – ofiqar?
  3. Nëse po, a ka spiunuar ndonjë shqiptar?
  4. A është arrestuar babai i tij, Bashori nga UÇK për shkak të dyshimeve se ka qenë spiun i UDB-së?
  5. Pas luftës, a është marrë babai i Beratit, Bashori me shitblerje të pronave të serbëve?
  6. A ka qenë babai i Beratit pjesë e rrjetit të Azem Sylës?
  7. A mund të jetë fakti se babai i Beratit ka qenë (apo edhe është) pjesë e rrjetit të Azem Sylës, asyeja që e ka bërë nervoz arrestimi i këtij të fundit, apo vetë Berati është pjesë e të njëjtit rrjet?
  8. A është e vërtetë se babain e Beratit e kanë rrahur shqiptarët në Volljakë për shkak të dallavereve eventuale me shitblerjen e pronave të serbëve?

Mirëpo përveç këtyre pyetjeve, Berat Buzhala duhet t’u përgjigjet edhe këtyre pyetjeve:

  1. Kur është informuar se Hamdi Vraniqi paska ndryshuar planin urbanistik dhe ka dhënë lejen për ndërtimin e kishës në kompleksin universitar të Universitetit të Kosovës?
  2. Pse nuk e ka bërë publike kur është informuar, por pikërisht sot kur ka shumë paqartësi rreth negociatave në Bruksel?
  3. A ka ndonjë të dhënë se Erzen Vraniqi mund të jetë i inkriminuar dhe me implikime në lojë agjenturash të ndryshme?
  4. A po e ndjek edhe “Express” të njhëjtën rrugë sikurse “Insajderi” që po bën publike audiopërgjimet e bëra pesë-gjashtë vite më herët?
  5. A qëndron Kadri Veseli mbrapa gjithë këtyre?

Natyrisht se rendi i pyetjeve është shumë i gjatë, por ka kohë dhe u vjen rendi të gjithave, pasi që duket se loja me etër dhe bij teksa ka filluar dhe shumë do të dalin bij udbashësh, puthadorë të regjimeve totalitare dhe kundërshqiptare, si dhe edhe vetë udbashë dhe rekrutë agjenturash të ndryshme kundërshqiptare.

Duket se emërimi i Prokurorit Special dhe parashikimet se kah fundi i këtij viti do të bëhen publike akuzat e para nga Dhomat e Posaçme të Gjykatës speciale, do të shtojë dinamikën e akuzave dhe të kundërakuzave, dhe do të jemi dëshmitarë të debateve të ashpra publike.