Bëri vaksinën Pfizer apo ujë biologjik? Rama përgjigjet: Do ua vërtetoj kur …

18.01.2021 20:54:42

Ka pasur shumë zëra lidhur me vërtetësinë e bërjes së vaksinës nga ana e kryeministrit Edi Rama ditën e parë të vaksinimit.

Nga foltorja e Kuvendit këtyre zërave, që ngritën dyshime se ai nuk u injektua me vaksinën anti-Covid, por mori ujë biologjik, Rama premtoi se kur të shkojë për të marrë dozën e dytë të vaksinës, do të bëjë publike edhe antitrupat që ka krijuar nga doza e parë.

Më tej, kryeministri foli dhe për skenarët që ka shteti shqiptar për vaksinimin e popullsisë me vaksinën anti-Covid, duke thënë se skenari i parë dhe më ambiciozi është ai i vaksinimit brenda 14 muajsh.

“Është e rëndësishme, meqë kam parë dhe analistë e opinionistë të rangut të lartë që kanë hedhur idenë se jam injektuar me ujë biologjik, ky është një nivel analize shumë i lartë për ne njerëzit e zakonshëm, por iu duhet dhënë mundësia atyre që i ndjekin këta analistë, të mësojnë të vërtetën. Së fundi, Shqipëria mbetet një histori pozitive, referuar shifrave në raport me vendet e tjera. Shqipëria sot ka një numër të fataliteteve, që nuk ka shkuar te skenarët e parashikuar dhe që nuk i është afruar skenarit katastrofik, që ka ndodhur në vende shumë më të zhvilluara. Sot kemi vende në Evropë, që flasin të shtrëngojnë masat shumë më tepër se masat që kemi ne”, u shpreh kryeministri Edi Rama.