Berisha kërkon njohjen e Kosovës nga Greqia

27.10.2016 13:46:24

Ish-kryeministri Sali Berisha ka pritur në një takim ambasadoren e Greqisë në Tiranë, Eleni Sourani. Takimi është zhvilluar në zyrën e ish-kryeministrit, ndërsa është diskutuar për marrëdhëniet mes dy vendeve.

Ish-kryeministri Sali Berisha në profilin e tij në Facebook, shkruan se ka kërkuar që Greqia të njohjen Kosovën si shtet.

Ja çfarë shkruan ish-kryeministri Sali Berisha në facebook:

Të dashur miq, prita në një takim ambasadoren e Greqisë në vendin tonë, zonjën Eleni Sourani.

I urova ambasadores Sourani suksese në misionin e saj dhe shpreha mirënjohjen për ndihmën e madhe e të gjithanshme që Greqia i ka dhënë Shqipërisë në këto 25 vite. Greqia i ka dhënë një ndihme të çmuar Shqipërisë në procesin e integrimit ne NATO dhe BE,emigracioni shqiptar ne Greqi dhe investimet greke në Shqipëri kanë peshën e tyre dhe kontributin e çmuar në bashkëpunimin midis vendeve tona.

Unë shpreha optimizmin tim se marrëdhëniet midis dy vendeve tona, te cilat nuk kanë asnjë pretendim territorial ndaj njeri tjetrit, do përmirësohen vazhdimisht për të arritur nivelin që meritojnë.

Nënvizova se mes dy vendeve dhe popujve ka baza të forta për bashkëpunim dhe marrëdhënie miqësore e të shkëlqyera në të ardhmen. Problemet e trashëguara duhet te zgjidhen duke njohur realitetet. Sikundër mendoj se duhet shmangur nga kushdo përdorimi i tyre për qëllime elektorale.

Ambasadorja më shprehu mirënjohjen për kontributin e dhënë në nënshkrimin e traktatit të miqësisë Shqipëri-Greqi që ishte një hap i rëndësishëm përpara në marrëdhëniet mes dy vendeve. Ajo theksoi se Greqia e sheh Shqipërinë si një partner dhe aleat në NATO dhe mbështet integrimin europian te saj.

Në takim nënvizova nevojën e njohjes së Kosovës nga Greqia, si një hap që i kontribuon stabilitetiti në rajon. Theksova se midis Kosovës dhe Greqisë nuk ekziston asnjë pengesë për njohjen, dhe marrëdhëniet dhe çështjet bilaterale midis Shqipërisë dhe Greqisë dhe zgjidhja e tyre nuk duhet ndikojnë raportet e Greqisë me Kosovën. Ambasadorja pohoi përparimin e marrëdhënieve të Greqisë me Kosovën, të udhëhequra nga interesi bilateral.

Theksova se qeveria greke, me dy vizita të ministrit të jashtëm ka treguar vullnet për ti çuar marrëdhëniet me Shqipërinë përpara. Në takim mbështeta pikëpamjen se Traktati i vitit 1996 përbën një bazë solide në marrëdhëniet tona, dhe për zgjidhjen e çështjeve të mbetura pezull mes të dy vendeve, në interes reciprok te qytetarëve në të dy vendet.

Por theksova gjithashtu se nëse ky traktat nuk do të ishte bllokuar nga qeveritë socialiste që erdhën ne dy vendet tona në pushtet pas firmosjes së Traktatit gjërat do mund të kishin ecur shumë më mirë.

Takimi ishte i hapur.