Berisha paralajmëron: Droga, rrezik për ardhjen e ISIS-it në Shqipëri

22.09.2016 12:56:14

Ish-kryeministri Sali Berisha, i ka bërë thirrje SHBA-ve, BE-së dhe NATOS, që të ndërhyjë seriozisht për çështjen e mbjelljes së kanabisit në Shqipëri. Sipas Berishës, ndërhyrja e tyre do të shmangte një rrezik global terrorist, deri dhe për hyrjen e ISIS-it në Shqipëri.

“Qytetarët kanë kohë që kanë denoncuar arat me kanabis. Siguria kombëtare ndihet e kërcënuar. U bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë për çështjen e kanabisit. Një vend anëtar i NATO-s s’mundet kurrë të bëhet kërcënim për fqinjët e vet. Kanabisi do të jetë ‘minierë floriri’ për narkotrafikantët deri dhe për anëtarë të ISIS-it. Shqipëria është zhytur në dramë. Shqipëria është shndërruar në Kolumbinë e dikurshme”, – tha ai.

Sipas Berishës, po ndërtohen aeroporte të tjera në vend për trafiqe kriminale. “Kjo qeveri, për 3 vite me radhë ka promovuar kanabisin. Nëse nuk ndërhyhet shumë shpejt, ky vend do të jetë financuesi më i madh ndërkombëtar i ISIS-it në radhë të parë. NATO duhet të analizojë të analizojë situatën e drogës. Rama është kryearkitekti i narkotrafikut në Shqipëri dhe kjo është një emergjencë kombëtare. Ta marrin në mënyrën më serioze çështjen e drogës në, – vijoi Berisha. –  SHBA dhe BE nga ana tjetër, duhet të shqyrtojë me emergjencë dhe të marrin filmimet e fundit të autoriteteve italiane. Dy anije me kokainë kanë hyrë në Shqipëri. E përsëris që droga është një rrezik konstant për ardhjen e ISIS-it në Shqipëri”