Berisha reagon ndaj deklaratave të patriarkut serb për Kosovën

04.01.2018 14:49:37
Zëvendësministri Anton Berisha ka reaguar lidhur me deklaratat e fundit të patriarkut serb Irinej që ka thënë se nuk mund ta imagjinojë Serbinë pa Kosovën.

Berisha tha se Kisha Serbe nuk ka monopol etnik dhe as të drejtë historike në Kosovë.

Këto komente zëvendësministri i bëri në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook duke shtuar se konstatime të këtilla nga Irinej janë për të ardhur keq dhe jashtë frymës së festës.

Ai ka përfunduar se kjo logjikë e Kishës Ortodokse Serbe nuk përputhet fare me realitetin historik dhe gjendjen aktuale sepse Kosova është e çliruar nga kolonizimi serb.

Statusi  i plotë:

Reagim ndaj deklaratës se patriarkut serb Irinej, se Kisha Ortodokse Serbe (KOS) nuk mund ta imagjinojë Serbinë pa Kosovën.

KISHA SERBE NUK E KA MONOPOLIN ETNIK TË KRISHTERIZMIT RRJEDHIMISHT AS TË DREJTËN HISTORIKE NË KOSOVË

Intervista e Krishtlindjeve patriarkut serb Irinej se Kisha Ortodokse Serbe (KOS) nuk mund ta imagjinojë Serbinë pa Kosovën, se Kosova është Serbia e Vjetër, nga e cila ka lindur pjesa tjetër e Serbisë si dhë nënvizimi i tij se “Kosova është historia serbe, kultura dhe shpiri i saj, se Prizreni ka qenë kryeqytet i popullit serb e Patrikana e Pejës rezidencë e argjipeshkëv dhe e patriarkëve serbë.” – janë konstatime për keqardhje dhe jashtë frymës së festës.

Referimi i konteksteve historike të kohëpaskohshme është përpjekje që periudhat kolonialiste të Serbisë në Kosovë për t’i paraqitur si e drejtë historike që i takon popullit serb duke përjashtuar shqiptarët si banorë të këtyre trojeve si dhe duke ua mohuar atyre kulturën duke përfshirë edhe atë krishtere.

Fetë, janë universale në natyrën e vet dhe cdo interpretim subjektiv e margjinal për të nxjerrë krishterizmin si monopol etnik serb ne këtë rajon është tendenciozitet malicioz në kundërshtim me nevojen sublime për të mbrojtur trashëgiminë kulturore të Kosovës.

Kjo logjikë e KOS nuk është në përputhje me realitetin historik e as me gjendjen faktike aktuale, ngase Kosova është çliruar nga kolonizimi serb, është shtet i pavarur, në të cilin të gjithë shtetasit e saj i kanë të garantuara të drejtat e tyre qytetare, etnike, kulturore dhe fetare.