Berisha: Suksesin e ambicieve personale President e keni dëshmuar ju

09.12.2016 15:02:01

Ali Berisha, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar lidhur me deklaratat e presidentit, Hashim Thaçi i cili ka thënë se qytetarët s’duhet të mbesin të izoluar për ambicie personale e partiake të politikanëve.

Berisha është shprehur se suksesin e ambicieve personale e ka dëshmuar Thaçi dhe askush tjetër.

Lexoni të plotë deklaratën e Berishës:

“Suksesin e ambicieve personale z. President e keni dëshmuar vetëm ju dhe askush tjetër!

Si është e mundur që ju arritët ta mobilizoni votën tuaj për President, por nuk arritët ta bënit Kosovën me ushtri?! Kjo dëshmon më së miri prirjen tuaj dhe ambiciet e pastra personale duke nëpërkëmbur në vazhdimësi interesat shtetërore.

Sa i përket liberalizimit të vizave jeni pikërisht ju fajtori kryesor i cili para se ta vendosnit nënshkrimin në marrëveshjen për demarkacionin, keni qenë të obliguar që në bazë të Rezolutës së Kuvendit të Kosovës,  të njoftonit deputetët mbi procesin në tërësi.

Edhe këtë e mënjanuat për interesa personale dhe grupore!

Nuk është aspak e ndershme, që ju si gjenerator i gjitha të këqijave në vend, ta luani rolin e një jashtëtokësori, duke u sjellë si një emisar special në një vend me plotë befasi të trishta dhe në këtë, vetëm ju po jeni të befasuar se sa keq na qenka Kosova!”.