Berisha: Tahiri është mashtruese, po e përfaqëson interesin e Serbisë (Video)

04.10.2016 23:31:39

Ish-shefi i Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit (ART), Anton Berisha ka hedhur kritika të mëdha në adresë të qeverisë Mustafa sa i përket bisedimeve për kodin telefonik të Kosovës.

“Kjo qeveri, me këtë zonjën Edita Tahiri, de fakto i ka shndërruar bisedimet Kosovë-Serbi në bisedime Serbi-Serbi, sepse pala kosovare është de fakto përfaqësuese e interesit të Serbisë, sepse kjo marrëveshje (kodit telefonik) nuk i jep asnjë dobi Kosovës”, ka thënë Berisha në emisionin “Kontakt” me Valdrin Krasniqin në Tribuna Channel.

Sipas tij, pala kosovare në Bruksel ka bërë një marrëveshje në dëm të shtetit të Kosovës dhe në dëm të infrastrukturës telekomunikuese të Kosovës, pasi që ajo i ka legalizuar uzurpimet që kanë ndodhur në pjesën veriore si bashkëngjitje e telekomit serb.

Berisha e ka quajtur mashtruese të vazhdueshme ministren e dialogut Edita Tahirin.

“Po me vjen keq më përdor fjalorin e merituar për këtë, por nuk mund t’i ikim fjalës mashtruese. Ajo është shndërruar në një mashtruese të opinionit publik dhe ka marr për detyrë mashtrimin e vazhdueshëm”, ka deklaruar Berisha në “Kontakt”.

Madje ai thotë se kjo ministre po i përfaqëson interesat e Serbisë në dialog.

“Ministre e përfaqësimit të interesave të Serbisë. Kjo qeveri në masë të madhe të gjitha marrëveshjet e periudhës së fundit i ka nënshkruar në favor të Serbisë”, ka thënë ish kreu i ART-së.