Berisha vjen në Kosovë: “Mezi po pres të jem në fushë”

16.03.2017 20:38:21

“Me thënë të drejtën mezi po pres ta veshi fanellën dhe të hyj në fushë”. Kështu ka thënë Besart Berisha të enjten kur ka arritur në Aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë.

“Unë nuk e njoh humbjen”, është shprehur ai.

Sulmuesi i Melbourne Victory ka ardhur nga Australia e largët që të jetë pjesë e Përfaqësueses së Kosovës në ndeshjen e 24 marsit kundër Islandës në kualifikimet e Botërorit “Rusia 2018”. Berisha u shpreh tejet i lumtur që do të përfaqësojë vendin e tij.

“Nuk ia kisha fal vetës asnjëherë nëse nuk do të luaja për Kosovën.Gjendem këtu se dua ta ndihmojë Kosovën. E dua këtë vend”, ka thënë ai.

31 vjeçari e ka pranuar se do të jetë një ndeshje e vështirë ajo ndaj Islandës, por thotë se gjendet këtu për të fituar.

“Qëllimi është që të marrim fitore. Por, e dimë se ata janë rival i vështirë, kemi parë në Francë se sa mirë kanë luajtur”, ka theksuar ai.

Berisha ka folur shkurtimisht edhe për ata që nuk e kanë zgjedhur Kosovën.

“Nuk kam ndonjë mesazh për ta. Secili e merr vendimin e tij dhe neve na mbetet vetëm t’i respektojmë”, ka thënë ai.

Ai është shprehur shumë i lumtur që ka ardhur në Kosovë.

“Jam shumë i lumtur që jam këtu. Kam kërkuar gjithmonë të luajë me Kosovën dhe më në fund po më plotësohet dëshira. Kjo është e rëndësishme”.

Ai ka thënë se liga në Australi është e fortë dhe se ai ka arritur një sukses të madh atje dhe është shumë i lumtur. Berishën e kanë pritur një numër i tifozëve në aeroport.