Berishaj: Zgjidhja e vetme për Demarkacionin, arbitrazhi ndërkombëtar

27.08.2016 09:48:34

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Martin Berishaj, është i mendimit se demarkacioni me Malin e Zi duhet të shkojë në arbitrazh ndërkombëtar.

Në një intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, profesor Berishaj ka thënë se versioni aktual i demarkacionit me Malin e Zi nga koncepti i procesit të vijëzimit të kufirit është i papranueshëm për disa aspekte.

Sipas tij, në këtë proces janë kapërcyer nivelet e vijëzimit të kufirit dhe nuk është përfillur procedura për caktimin e tyre.

“Në këtë shpërfillje nga ana e komisionit kosovar janë përdorur elemente që nuk përbëjnë ‘titullusin’ juridik, siç është çështja e hartave dhe e komunave kadastrale për përcaktimin e kufirit ndërkombëtar”, ka thënë Berishaj.

Për të dalë nga ky ngërç, ai sheh vetëm një rrugëdalje.

“Avantazhi që unë e shoh në gjithë këtë çështje është ky: demarkacioni i kufirit me Mal të Zi të shkojë në arbitrazh ndërkombëtar dhe kështu të dilet nga ngërçi politik që e ka formuar vetë pozita politike në Kosovë”, ka thënë Berishaj.

Identike me situatën siç e kemi sot në Kosovë ishte situata pas nënshkrimit të marrëveshjes Raçan – Drnovshek, por në rastin konkret deputetët e ndihmuan procesin politik me atë që plotësuan kushtet për ta dërguar çështjen e Gjirit të Piranit në arbitrazh ndërkombëtar duke ‘çliruar’ procesin.

Natyrisht, Qeveria sllovene u dashtë të dorëhiqet, por procesi dhe territori, si rrjedhojë edhe kufiri, u bë çështje e së drejtës ndërkombëtare.