Berlini i drejtohet kutive të votimit, tendencë drejt populizmit

18.09.2016 13:53:23

Qytetarët e Berlinit do t’i drejtohen sot qendrave të votimit për të rinovuar Parlamentin e tyre, një proces zgjedhor në një metropol me bindje liberale dhe me tendencë që pritet të nxjerrë në pah një rritje të populistëve anti-migracion të AfD-së, sërish një tjetër rezultat aspak në favor të kampit të Angela Merkel.

Qendrat e votimit u hapën në 08:00 sipas orës lokale (06:00 GMT) dhe do të mbyllen në 18:00 (16:00 GMT). Vlerësimet e para të rezultatit që publikohen nga stacionet e televizioneve publike pritet të vërshojnë menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit.

Parlamenti lokal që do të zgjidhet sot do të përzgjedhë më pas kryebashkiakun e këtij qyteti heterogjen me rreth 3,5 milionë banorë.

Kancelarja gjermane pritet të dalë në një konference shtypi nesër në mesditë në lidhje me rezultatet e zgjedhjeve.Sipas një sondazhi të fundit të publikuar dy ditë parë nga televizioni publik ZDF, SPD-ja (social-demokratët) e kryebashkiakut në ikje Michael Müller udhëheq garën me 23 për qind të numrit të përgjithshëm të votave, përpara CDU-së të Merkel (18 për qind) dhe të Gjelbërve (15 për qind) ndërsa e djathta populiste AFD, që merr pjesë për herë të parë në këtë proces zgjedhor pritet të marrë 14 për qind të votave.