“BernerZeitung”: Vizita e munguar e presidentit Thaçi në Zvicër

17.10.2016 21:03:57

Shteti i Zvicrës ka pritur sot në një vizitë zyrtare, 2-ditore, presidentin e shtetit që përbën grupin më të madh të migrantëve në Zvicër, atë të Portugalisë, Marcelo Rebelo Do Souza. E këtë vizitë gazeta zvicerane “BernerZeitung” e ka shfrytëzuar të kujtojë që presidenti i Kosovës nuk e ka vizituar asnjëherë Zvicrën, edhe pse kosovarët përbëjnë grupin e pestë më të madh të migrantëve në Zvicër.

Në Zvicër komunitetet më të mëdha të të ardhurve e përbëjnë – sipas radhës: Gjermanët me 322 mijë, italianët me 313 mijë, komuniteti portugez me 277 mijë, francezët janë rreth 130 mijë, ndërsa kosovarët janë rreth 110 mijë banorë në Zvicër.

Presidentët e të gjitha këtyre katër shteteve nga vijnë “ausllanderët” që përbëjnë grupimet më të mëdha në Zvicër, e kanë vizituar shtetin helvetik në gjashtë vitet e fundit. Presidenti gjerman ka vizituar Zvicrën në vitin 2010, ai francez ka qëndruar në vizitë zyrtare në Bernë, më 2014, ai italian një vit më vonë.

Mirëpo, gazeta e njohur “BernerZeitung” vë theks të veçantë tek mungesa e një vizite zyrtare të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

“Kosova ka 111.00 mijë shtetas në Zvicër, presidenti i këtij vendi nuk bërë asnjëherë vizitë zyrtare në Bern”, shkruan “BernerZeitung”, raporton Insajderi.

E përditshmja zvicerane, më tej thekson se Thaçi ka studiuar në Zvicër si refugjat politik.

“Një ftesë për presidentin aktual të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili kishte studiuar në Zvicër si refugjat politik dhe që nga prilli është zgjedhur president i Kosovës, do të ishte sinjal i mirë politik, sepse shteti më i ri në Evropë nuk njihet nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian”, shkruan “BernerZeitung”.