Beteja për Mosulin, vriten 300 fëmijë-ushtarë të ISIS-it

31.10.2016 14:09:17

Më shumë se 300 fëmijë-ushtarë të ISIS-it, janë vrarë në 14 ditë luftime në Mosul dhe të tjerë kanë mbetur viktima të shpërthimeve me eksploziv të lëna pas nga militantët e Kalifatit në rrugët e qytetit iraken që ndodhet në shtetrrethim.

Lajmi bëhet i ditur nga Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, me bazë në Londër. Fëmijët e vrarë nga forcat që janë duke çliruar Mosulin, njihen si “luanët e vegjël” të Kalifatit dhe “kanë mbërritur si përforcime nga Siria”. Të paktën 40 kufoma “janë transportuar në Raka në 24 orët e fundit”, – raporton Observatori.

Ajo e fëmijëve-ushtarë nuk është dhuna e vetme ndaj më të vegjëlve që po kryhet nga Shteti Islamik gjatë mësymjen për çlirimin e Mosulit. ISIS është duke vendosur eksplozivë në dhjetëra lodra fëmijësh që janë braktisur në rrugët e qytetit.

Sipas gazetës “The Guardian”, në zonat e çliruara nga xhihadistët, deri më sot Peshmergët kanë ç’aktivizuar dhjetëra bomba të lëna gati për shpërthim. Objektiv, konfirmojnë burimet, është ai për të minuar avancimin e forcave kundërshtare që po përgatiten të hyjnë në “kryeqytetin” e Kalifit Al Baghdadi.