Biblioteka Kombëtare në Shqipëri sot hap ekspozitë kushtuar Nënë Terezës

03.09.2016 09:57:54

Biblioteka Kombëtare, në nderim të figurës së shquar të Nënë Terezës dhe shenjtërimit të saj, do të çelë në 3-10 shtator ekspozitën “homazh” kushtuar Nobelistes së paqes përmes titujve dhe veprave që kanë në fokus jetën frymëzuese dhe veprimtarinë e saj shembullore.

Në ekspozitë do të prezantohen lutjet dhe poezitë e shkruara prej vetë shenjtores, poezitë që ajo u frymëzoi poetëve shqiptarë, albumet mbresëlënëse të artistëve, monografitë studimore, intervistat, jetëshkrimet e deri dhe bibliografitë për Nënë Terezën. Kjo ekspozitë sjell në trajtë simbolike marrëdhënien e privilegjuar që vetë Shqipëria dhe shqiptarët, për të cilët lutjet ajo nuk i rreshti kurrë, kanë ngjizur tashmë me Nënën e tyre të shenjtë, plot krenari e përkushtim.

Sipas njoftimit për shtyp të BKSH-së, përmes një bashkëpunimi përherë të suksesshëm me Muzeun Historik Kombëtar dhe Ministrinë e Kulturës, në këtë ekspozitë do të ekspozohen edhe disa nga objektet personale të Nënë Terezës, si kryqi, rruzarja dhe peshqiri i saj, sot pronë e MHK.