Biden i shkruan letër Thaçit: Një marrëveshje me Serbinë, që çon në njohjen e Kosovës, do të ishte arritje e rëndësishme

02.03.2019 11:04:49

Ish-zëvendëspresidenti i SHBA-së, Joseph Biden, pas takimit me presidentin Thaçi në Konferencën e Sigurisë në Munih, i ka dërguar edhe një letër mbështetëse, ku ka shprehur përkrahjen e tij për një zgjidhje të dakorduar në mënyrë reciproke me Serbinë, që çon në njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Ish-zëvendëspresidenti amerikan ka shkruar se kjo do të ishte një arritje e rëndësishme.

“Ju e dini se përkushtimi im ndaj Kosovës është personal dhe i thellë, dhe unë do të vazhdojë të qëndrojë afër gjithë popullit të Kosovës, përderisa ju përmbushni angazhimin tuaj për një të ardhme më të ndritur”, ka shkruar ish-zëvendëspresidenti amerikan, Joseph Biden.

Kjo është letra e plotë e tij dërguar presidentit Thaçi:

I nderuar president Thaçi, 

E vlerësoj lart mundësinë që kisha që të kaloj kohë me ju në Konferencën e Sigurisë në Munih fundjavën e kaluar.

Kosova ka bërë përparim të pabesueshëm prej që ka fituar pavarësinë e saj, në një masë të madhe falë lidershipit dhe kontributeve tuaja. Sidoqoftë, siguria e vendit, perspektiva ekonomike dhe statusi ndërkombëtar duhet të forcohen dhe të zgjerohen – një pikëpamje që unë e di që ju e ndani. Një zgjidhje e dakorduar në mënyrë reciproke me Serbinë, që çon në njohjen e pavarësisë së Kosovës, do të ishte një arritje e rëndësishme dhe do të ndihmonte në arritjen e të gjitha këtyre gjërave. Ju uroj suksese në ndjekjen e një zgjidhjeje të tillë.

Ju e dini se përkushtimi im ndaj Kosovës është personal dhe i thellë, dhe unë do të vazhdojë të qëndrojë afër gjithë popullit të Kosovës, përderisa ju përmbushni angazhimin tuaj për një të ardhme më të ndritur. Faleminderit për partneritetin tuaj për ta bërë këtë të ardhme një realitet

Përshëndetje të ngrohta,

Joseph R. Biden, Jr.