Bie në gropë dhe thyen dorën, shokohet nga vendimi i gjykatës pasi paditi bashkinë

06.08.2016 18:20:42

Një grua e moshuar në Itali hodhi në gjyq bashkinë dhe entin e mirëmbajtjes së rrugëve, pasi ra në një gropë dhe theu dorën. Ngjarja ka ndodhur në vitin 2010, por procesi gjyqësor është zvarritur që atëherë, duke konkluduar më në fund me një vendim të papritur: gruaja jo vetëm që nuk dëmshpërblehet, por do të paguajë shpenzimet gjyqësore.

Rasti në fjalë i përket 70-vjeçares Franca Forlini, me profesion mësuese. Ajo është rrëzuar në një prej rrugëve të Romës, saktësisht në “Pian di Sco 26” dhe ka thyer dorën në dy vende. Pas incidentit, ajo ka hedhur në gjyq bashkinë për të marrë dëmshpërblim, por 6 vjet më pas, gjykata e liroi palën e akuzuar nga çdo përgjegjësi dhe detyroi gruan të paguajë shpenzimet gjyqësore për të dy palët e përfshira në proces.

Shifra është rreth 10 mijë euro. Gjykata e argumenton vendimin me provat e pamjaftueshme që mbështesin akuzën e zonjës së dëmtuar. Ndërsa kjo e fundit ngul këmbë se menjëherë pas aksidentit, kompania e rrugëve e ka riparuar gropën dhe kur janë bërë verifikimet në terren pas denoncimit të saj, nuk ka pasur asnjë provë.