BIK, sulmi ndaj xhamisë nxit urrejtje dhe dhunë

15.08.2016 12:58:43

Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), ka reaguar ndaj sulmit që iu bë mbrëmë objektit të xhamisë në fshatin Velekincë të Gjilanit, nga një shtetas i Kosovës, i etnicitetit serb.

BIK përmes një komunikate, ka dënuar këtë akt, duke e quajtur të papranueshëm e që nxit urrejtje.

Lexoni komunikatën e plotë:

Atakimi i objekteve fetare, pavarësisht motiveve është akt i papranueshëm dhe si i tillë edhe i dënueshëm.

Rastet e tilla nxisin urrejtje,  mos durim e dhunë aq më tepër kur janë përdhosur e atakuar simbolet fetare dhe ato kombëtare nga një individ i një nacionaliteti e një feje tjetër.

Kërkojmë nga të gjithë që rastin në fjalë ta trajtojnë me përgjegjësinë e duhur, pa e heshtur por edhe pa e ekzagjeruar.

Kërkojmë nga organet kompetente të marrin masat e duhura për sigurinë e objekteve fetare që mos të bien pre e individëve që kanë qëllim të errëta.

Nga ana jonë mbetemi të përkushtuar për kultivimin e tolerancës, mirëkuptimit e mirëbesimit në vendin tonë.