Bill Clinton përsëri mes shqiptarëve, merr mbështetje për kandidaturën e Hillaryt (Foto)

10.09.2016 18:28:51

Ish-presidenti amerikan Bill Clinton u takua përsëri me shqiptaro-amerikanë, këtë javë, në shtëpinë e veprimtarit dhe biznesmenit të shquar shqiptaro-amerikan Sal Rusi, në New York.

Ky është takimi i dytë fond mbledhës për fushatën presidenciale, në atë që njihet ndryshe si “Shtëpia e Bardhë” e Staten Island. Pak muaj më parë, këtu ishte vetë kandidatja e Partisë Demokrate, Hillary Clinton

Shumë shqiptaro-amerikanë mbështesin ish-Sekretaren e Shtetit në zgjedhjet që do të mbahen në 8 nëntor të këtij viti.

Hillary Clinton njihet me shqiptarët që nga koha kur bënte fushatën presidenciale për Bill Clinton, pastaj si Zonjë e Parë dhe i Senatore e Amerikës për New York-un.

Presidenti Clinton falenderoi në veçanti dy organizatorët, bashkëshortët Sal dhe Vivian Rusi, dhe shprehu mirënjohjen e tij për kontributin e shqiptaro-amerikanëve në Amerikë.

Takimi nuk ishte i hapur për median por informacionet në këtë shkrim janë nga pjesëmarrës të takimit, duke përfshirë edhe vetë botuesin e gazetës “Illyria”, Vehbi Bajrami.

Gjatë një bisede me Presidentin Clinton, botuesi Bajrami i tregoi se gazeta shqiptare e Amerikës ishte e para që i bëri thirrje publike Hillary Clinton që të hynte në garë për Presidente. Ai i dha Presidentit Clinton një kopje të gazetës “New York Daily News”, ku kishte botuar një faqe urim për ditëlindjen e ish-Sekretares së Shtetit, në të cilën i bëhej thirrje që të konkurronte për presidente sepse ishte njeriu më i përgatitur dhe më me përvojë për të drejtuar Shtëpinë e Bardhë.

 

 

Bill Clinton, një hero për shqiptarët, sidomos për shkak të ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës nga Serbia, u gëzua shumë nga ky fakt dhe e mori me vete gazetën, pasi lexoi aty për aty një pjesë të tekstit.

Ai u tregua bujar me kohën që vuri në dispozicion për takimin me shqiptarët. E di, tha, që ju jeni mbledhur këtu ngaqë e mbështesni Hillary Clinton për presidente, po nuk më rrihet pa treguar edhe njëherë se pse këto zgjedhje kanë rëndësi.

Presidenti kapi tema që u interesojnë shqiptarëve. Si ndihma për bizneset e vogla. Shumë prej tyre kanë nevojë për hua serioze dhe nuk po u jepen. Amerikanët shpëtuan bankat e mëdha në Wall Street, por këto janë tepër të kursyera me biznesin e vogël.

Clinton tregoi sesi kur ishte president bizneset e reja hapeshin në numër rekord në botë, ndërsa tani SHBA nuk ishte as në 10 më të mirat. Ndonëse dy të tretat e vendeve të reja të punës në këto dekada kanë ardhur nga biznesi i vogël, pak është bërë për ta ndihmuar.

Ai foli për legalizimin e emigrantëve pa dokumente. Pse të mos ligjërohen këtu ata që punojnë shumë, paguajnë taksa, respektojnë ligjet, rrisin fëmijët si amerikanë të vegjël dhe nuk bëjnë gjëra të këqia