Bisedimet nuk duhet të vazhdohen pa i analizuar rezultatet e marrëveshjeve

31.07.2017 17:46:52

Dy presidentet, Hashim Thaçi i Kosovës dhe Aleksandar Vuçiq i Serbisë, javë më parë ishin takuar në Bruksel ku edhe ishin dakorduar për zhvillimin e mëtejmë të dialogut të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. U tha se ky dialog tani e tutje duhet të zhvillohej në nivel presidencial.

Në një prononcim për Indeksonline, deputetja nga radhët e AAK-së, Teuta Haxhiu ka thënë se bisedimet me Serbinë, në Qeverinë Haradinaj nuk duhet të zhvillohen pa i analizuar mirë rezultatet e arritura nga marrëveshjet e deri tanishme.

Sipas saj, në dialog është mirë të përfshihen të gjitha kategoritë politike.

“Bisedimet e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani duhet shikuar se sa janë zbatuar. Të shohim rezultatet që janë arritur më parë, pastaj mbi të dhënat ose të gjeturave të atyre mos implementimit ose mos zbatimit të atyre marrëveshjeve, atëherë duhet një konsultim i përgjithshëm në mënyrë që të shihet nga të gjithë akterët. Dialogu nuk është në interes të individit, prandaj mendojë që të gjitha kategoritë politike duhet të përfshihen në dialog. Por, paraprakisht duhet të shikohet njëherë se sa janë zbatuar ato, dhe deri në zbatimin e fundit të marrëveshjeve, personalisht mendojë që nuk duhet të vazhdohet me dialog”, ka thënë Haxhiu.

Ajo premton se në Qeverisjen Haradinaj, do të ketë rezultate më të mira për qytetarët, si në dialog ashtu edhe në çështjet tjera.

“Qeveria Haradinaj, çdo ditë të qeverisjes do të ketë rezultate në të mirë të qytetarëve. Prandaj edhe çështja e dialogut dhe të tjerat do të nxjerrën në interes të vendit, kuptohet fjala dialog nuk nënkupton që është në interes të vetëm një vendi, por ne jemi dal prej lufte, prandaj çdo ditë e qeverisjes Haradinaj do të jetë në interes të qytetarëve. Me 3 gusht deputetët do të vendosin në radhë të parë për Kuvendin pastaj do vazhdojmë për Qeverinë”, ka thënë Haxhiu.

Edhe deputetja nga radhët e Nismës për Kosovën, Valdete Bajrami mendon se në dialogun me Serbinë, në të ardhmen duhet të ketë gjithëpërfshirje në mënyrë që të ketë konsensus si për bisedimet, ashtu edhe për të gjitha çështjet nacionale.

“Çështja e bisedimeve duhet të trajtohet me shumë kujdes por edhe me një transparencë sepse dihet se bisedimet e zhvilluara në Bruksel nuk kanë qenë fare transparente. Fillimisht duhet të presim krijimin e institucioneve po ashtu këtu duhet të ketë rol të rëndësishëm dhe vendimmarrës kuvendi, dhe kjo çështje pra duhet të ketë gjithëpërfshirje me qëllim që të kemi një konsensus si për bisedimet ashtu edhe për të gjitha çështjet nacionale”, ka shtuar ajo.

Ndryshe, ka disa muaj që është ndërprerë dialogu Kosovë-Serbi. Kjo gjë ka ndodhur për shkak të zgjedhjeve qendrore së pari në Serbi, e më pastaj edhe në Kosovë.