Bisedimet për kodin telefonik avancuan, takimi përmbyllës së shpejti

16.08.2016 13:34:10

Nën kryesimin e ministres për Dialogun të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, dhe njëherit kryenegociatore, delegacioni i Kosovës në përbërjen e të cilit ishin edhe përfaqësuesit e ARKEP-it dhe operatorëve të telefonisë në Kosovë, kanë marrë pjesë në takimin e radhës të mbajtur në Bruksel për çështjet e kodit telefonik, i cili ka zgjatur rreth 20 orë.

Në agjendën e këtij takimi temë kryesore ishte përfundimi i hapave drejt marrjes së kodit telefonik shtetëror për Kosovën, 383 nga ana e ITU-së. Edhe përkundër angazhimeve të delegacionit të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të BE-së që kjo çështje të përmbyllet përfundimisht në këtë takim dhe edhe përkundër përparimeve të mëdha të arritur në dy takimet e fundit për këtë çështje, pala serbe nuk pati gatishmëri për të rrumbullakësuar këtë proces. Në këtë takim ka pasur përparime për mbylljen e çështjeve të hapura të karakterit teknik, mirëpo pala serbe kishte tendenca të rihapjes së marrëveshjes për telekomin, të cilën delegacioni i Kosovës e kundërshtoi kategorikisht.

Delegacioni i Kosovës mbrojti qëndrimin që marrëveshja për telekomin bazohet në ligjet dhe kornizën rregullatore të telekomunikacionit të Kosovës, prandaj edhe zgjidhjet teknike zbatuese duhet të jenë plotësisht me ligjet e Republikës së Kosovës. Delegacioni i Serbisë edhe pse është nënshkrues i marrëveshjes për telekomin, u mundua që në disa çështje procesi i zbatimi të dalë jashtë ligjeve të Kosovës.

Për dallim prej raundit paraprak të bisedimeve, ku u arrit pajtimi për heqjen e barrikadës dhe ku pala serbe kishte qëndrim më konstruktiv, kësaj radhe pala serbe ishte jo serioze dhe kohë-pas-kohe ishin konfuz dhe të pakoordinuar, që linte të kuptohej, që ose nuk kishin gatishmëri apo nuk e njihnin fushën për të cilën kishin ardhur.

Në këtë takim pati polemika të ashpra politike me ç ‘rast ministrja Tahiri ia kujtoi palës serbe se këto janë bisedime ndërshtetërore të ndërmjetësuara ndërkombëtarisht, ndërkohë që hipokrizia politike e palës serbe është e pafundme për faktin se nënshkruan marrëveshje me shtetin e Kosovës me garanca ndërkombëtare dhe në anën tjetër gjatë zbatimit përpiqet të dalë jashtë marrëveshjes.

Në përpjekje për të përmbyllur hapat zbatuese për kodin, në orët e mbrëmjes në procesin e ndërmjetësimit është inkuadruar edhe drejtoresha për Evropën Perëndimore dhe Ballkanin Perëndimor në Shërbimin për Politikë të Jashtme dhe Siguri të znj. Mogherini,  znj. Angelina Eichhorst, megjithatë takimi në orët e mëngjesit përfundoi pa i përmbyllur disa nga çështjet.

Po ashtu njoftojmë opinionin se ky takim ka qenë vetëm për çështjet e kodit telefonik dhe se përfaqësuesi i Serbisë, Marko Gjuriq ka gënjyer kur ka thënë se në Bruksel do të bisedohet për asociacionin.

Në delegacionin e Kosovës të kryesuar nga ministrja Tahiri, Dren Zeka, këshilltar kryesor politik i ministres Tahiri dhe Gazmir Raci, këshilltar dhe koordinator politik për telekom kishte në përbërje edhe Kreshnik Gashi, kryesues i grupit të ekspertëve dhe kryetar i bordit të ARKEP-it dhe anëtarët e bordit, Nijazi Ademaj,  Hazir Hajdari, Bahri Anadolli,  Shqiprim Pula, Ilir Imeri, shef i komunikimeve elektronike, Visar Halimi, shef i departamentit për menaxhimin e frekuencave dhe Astrit Ajvazi, shef  i departamentit për radio monitorim dhe inspektim në ARKEP,  Zana Bejta, udhëheqëse e departamentit ligjor në Ipko telecommunications dhe Valeza Oruqi nga Ambasada e Kosovës në Bruksel.