Bizneset kërkojnë përfshirje më të madhe në hartimin e politikave në sektorin e shëndetësisë

03.04.2019 13:28:42
Në takimin e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me Ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili, dhe anëtarët e Komitetit të Kujdesit Shëndetësor të Odës Amerikane u diskutua rreth krijimit të një sistemi të sigurimeve shëndetësore, rëndësisë së tij në vend, si dhe nevojën për një përfshirje më të madhe të bizneseve në hartimin e politikave në këtë sektor.
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, konsideroi se vazhdimi i komunikimit të mirëfilltë mes sektorit publik dhe privat në procesin e hartimit të politikave në shëndetësi është i rëndësisë primare për sigurimin e zbatueshmërisë së këtyre politikave në vend. Ministri Ismaili potencoi se mungesa e një sistemi të sigurimeve shëndetësore ka rezultuar në kosto të larta për qytetarët por gjithashtu ka ndikuar edhe në vështirësimin e operimeve të institucioneve publike shëndetësore. Në këtë drejtim, ai theksoi se Ministria që ai drejton tashmë është në faza të avancuara të hartimit të ligjit për sigurime shëndetësore i cili do të rregullojë në mënyrë të drejtë këtë çështje.
Kryesuesi i Komitetit të Kujdesit Shëndetësor të Odës Amerikane, Armend Agani, tha se Kosova ka nevojë për arsimim dhe trajnim të vazhdueshëm të punëtorëve shëndetësorë në ofrimin e shërbimeve sa më cilësore për qytetarët. Agani falenderoi Ministrin Ismaili për angazhimin e tij në rregullimin e sektorit të shëndetësisë ndërsa kërkoi për përfshirje edhe të sektorit privat në grupe punuese në hartimin e legjislacionit me ndikim të theksuar në operimet e tyre.
Më tutje, anëtarët e Komitetit të Kujdesit Shëndetësor të Odës Amerikane theksuan nevojën e zbatueshmërisë së plotë të dispozitave të ligjeve aktuale si dhe vazhdimin e bashkëpunimit në çështje të cilat afektojnë këtë sektor në vend.