Biznesmeni uzurpator i depove milionëshe në Lakrishtë, uzurpator edhe në Dardani (Dokument)

30.09.2016 15:39:15

Vazhdimisht po dëshmohet se uzurpatorët e banesave të Ndërmarrjes Publike Banesore në Lagjen Dardania të Prishtinës nuk janë vetëm familje që konsiderohen raste sociale. Ditë për ditë po merret vesh se në këtë lagje ka edhe uzurpatorë biznesmenë dhe persona të afërt me politikën, të cilët edhe në të kaluarën kanë rënë ndesh me ligjin.

Në listën e uzurpatorëve, Periskopi ka gjetur edhe një biznesmen nga Podujeva. Hasan Potera është uzurpator i një prej banesave të NPB-së, i cili, sipas informatave që posedon portali, në bazë të vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës të marrë në vitin 2008, ditëve në vijim pritet largohet nga aty dhe banesa t’i kthehet NPB-së, si pronar legjitim.

Kjo listë e siguruar nga Periskopi rendit edhe Hasan Poterën si uzurpator në lagjen Dardania.

Por historia e tij prej uzurpatori nuk nis me uzurpimin e kësaj banese. Potera nuk është emër i panjohur për opinionin. Mjafton një kërkim i thjeshtë në Google, për të parë se biznesmeni ishte uzurpator edhe i depove milionëshe në afërsi të stacionit hekurudhor në lagjen Lakrishtë të Prishtinës.

Jeta në Kosovë kishte raportuar në vitin 2014 se Hasan Potera i kishte shfrytëzuar këto depo dhe kishte refuzuar t’i lirojë ato, përkundër që Agjencia Kosovare e Privatizimit të njëjtat depo ia kishte shitur Ahmet Maliqit në vitin 2012 me një çmim prej 1.6 milion eurove.

Në një prononcim për Jeta në Kosovë, Potera kishte thënë se është i vetëdijshëm që në të ardhmen do të hasë në telashe me blerësin e depove, por me këmbëngulje kishte refuzuar që t’i lirojë ato.

Hapësirën totale të pesë depove prej 40 ari, biznesmeni e kishte mbushur me shporetë të importuar nga Serbia.

“Unë nuk e lëshoj pronën, sepse kam investuar aty, edhe pse telashet mund të jenë më të mëdha se në lokalet këtu (supermarketet)”, kishte thënë ai për Jeta në Kosovë.

Biznesmeni problematik i kishte uzurpuar edhe dy lokale tjera në lagjen Lakrishtë, të cilat AKP-ja ia kishte shitur Lavdim Mehmetit me një çmim prej 83 mijë eurosh. Edhe këto lokale Potera kishte refuzuar t’i lirojë me arsyetimin se ka investuar në to. Madje, sherri i këtyre dy lokaleve familjet Mehmeti dhe Potera ishin përfshirë në një konflikt fizik.

Pak ditë më parë, Periskopi raportoi edhe zyrtarin e LDK-së Lutfi Muçolli si uzurpator të një prej banesave në Dardani.

Aksioni i Policisë, i nisur më 19 shtator, 2016 për lirimin e këtyre banesave krijoi efekt të madh medial. Gjatë zbatimit të vendimit të Gjykatës Themelore pamë përleshje mes banorëve me Policinë, sharje e pakënaqësi të shumta. Ishim dëshmitarë edhe të një skene të pakëndshme për kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, kur një grup grash shkuan në shtëpinë e tij, duke kërkuar zgjidhje për situatën e tyre.

Ahmeti tha se nuk përzihet në vendimet e Gjykatës Themelore, derisa shkuarjen e tyre te shtëpia e tij e quajti manipulim politik.

Janë 130 banesa të uzurpuara në këtë lagje. Policia ka para vetes një situatë komplekse para vetes kur dihet se deri tani janë liruar vetëm 12 banesa.