Bllokimi i fluturimeve/ Reagon Rama: Duan të pengojnë ardhjen e vaksinave, ja kush fshihet pas kësaj

07.04.2021 18:41:47

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas bllokimit të punës në aeroportin e Rinasit. Nëpërmjet një postimi në Twitter, Rama thekson se ky veprim është vepër penale.

Ai shton se kundërshtarët e tij politikë duan mbylljen e aeroportit për të mos ardhur vaksinat.

“Sabotimi i rëndë i aktivitetit të Aeroportit Nënë Tereza nuk do të tolerohet! Frymëzuesit e kësaj lëvizjeje të çartur çartiste, Saliu që gjuan me gurë digjitalë dhe Iliri, që hedh gurin e markës ‘Leshko’ dhe fsheh dorën, duan mbylljen e aeroportit për të mos ardhur vaksinat!

Organizatorët do të kallëzohen penalisht dhe do të përballen me ligjin, që ndalon rreptësishtë ndërprerjen e aktivitetit të kullës nga ana e kontrollorëve! Të tjerët duhet të vendosin menjëherë: O me shtetin në punë o me anti-shtetin në një proces penal për cenim të sigurisë kombëtare’-shkruan Rama.

Pak minuta më parë, ministrja Balluku u ka bërë thirrje kontrollorëve të trafikut ajror që të kthehen në punë, pasi në të kundërt do merren masa.

“Kjo është një situatë, e cila rëndon çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë futet në cenimin e sigurisë kombëtare, nga ky moment do të ketë marrje masash nga ana e shtetit ligjor, por edhe ndëshkim, të gjithë kontrollorëve të trafikut ajror u bëj thirrje të kthehen në detyrë gjatë ditës së sotme për të stabilizuar situatën dhe për të vijuar punën, janë paguar prej vitesh”, tha Balluku.