“Bllokohet” Shkodra, lajm i madh për tifozët para ndeshjes Shqipëri – Spanjë

08.10.2016 12:33:27

Shqipëri-Spanjë bllokon Shkodrën, ja çfarë duhet të kenë parasysh tifozët.
Mbrëmjen e së dielës në orën 20:45 në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër luhet ndeshja e futbollit mes Shqipërisë dhe Spanjës, e vlefshme për Kampionatin Botëror 2018.

Për të garantuar mbarëvajtjen dhe sigurinë gjatë ndeshjes, Policia e Shkodrës ka marrë një sërë masash ndaluese dhe kufizuese. Tifozëria do të nisë të futet në stadium rreth orës 17:00 ndërsa më poshtë janë rrugët që bllokohen dhe se çfarë duhet të kenë parasysh tifozët për sendet e ndaluara.

Masat

Për parkim të automjeteve në qytetin Shkodër do të përdoren këto vende:

▪ Sheshi “Mehmet Shpendi” tek ish Ndërmarrja e Fermentimit.

▪ Gjatësia e rrugës së Shkollës së Mesme Industriale “Arben Broci”.

▪ Sheshi tek stacioni i trenit të udhëtarëve.

▪ Sheshi dhe rruga tek “Fusha e Druve” në unazën lindore.

Nga ora 08:00, nuk do të lejohet parkimi i automjeteve, si dhe do të bëhet largimi i automjeteve të parkuara në këto akse rrugore:

Në rrugën “Bujar Bishanaku”, (ose rruga e gjerë e Kirasit), duke filluar nga ora 08:00, dt.09.10.2016 nuk do të lejohet parkimi i automjeteve dhe nga ora 12:00 do të ketë ndalim të qarkullimit rrugor dhe ndalim të parkimit të automjeteve në të dy kahet e rrugës, deri në orën 24:00.
Unaza perendimore,duke filluar nga Rr. Bajram Curri deri te Rr.Ibrahim Rugova.
Rruga Muhamet Dibra deri te parkimi i stadiumit.
Marrja e këtyre masave bëhet për arsye se rruga “Bujar Bishanaku”, do të jetë e vetmja rrugë kryesore e hyrje-daljes së tifozave vendas dhe të huaj.

Në aksin bulevardi “Zogu i Parë” (ose sheshi Parrucë deri tek “Ish 5-Heronjtë”), duke filluar nga ora 10:00 do të ketë kufizim të qarkullimit dhe ndalim parkimi të automjeteve në të dy kahet e rrugës, deri në orën 24:00.

Do të ndalohet parkimi i automjeteve dhe lëvizja e tyre nga degëzimet e rrugës që të çojnë në rrugën “B. Bishanaku” dhe anasjelltas, nga ora 10:00 deri në ora 24:00.

Do të ndalohet parkimi dhe lëvizja e automjeteve në rrugën “Zyhdi Repishti” (rruga e ish poligonit të qitjes) nga ora 10:00 deri në orën 24:00.

Do të ndalohet parkimi dhe lëvizja e automjeteve në rrugën e tregut industrial dhe fruta-perime në Zdrale nga ora 10:00 deri në orën 24:00.

Do të ketë kufizim lëvizjeje të automjeteve në orët e pasdites deri në përfundim të ndeshjes në segmentet rrugore:

o “Xhabije – Parrucë”

o “Sheshi 2 Prilli – Parrucë”

o “Kryqëzimi i ish degës – Ish 5-Heronjtë”

o “Kryqëzimi i Rusit – Ish 5-Heronjtë”

Kërkojmë mirëkuptimin e sportdashësve që do të marrin pjesë në këtë aktivitet në respektimin dhe zbatimin e këtyre masave si dhe paisjen me biletë dhe dokument identifikimi, duke shmangur njëkohësisht mbajtjen me vete dhe futjen në ambientet e stadiumit të, sendeve të forta, borive, shisheve të çfarëdolloji, fishekzjarreve, monedhave apo sendeve metalike, pasi në hyrje do të kontrollohen fizikisht të gjithë.

Njoftojmë administratorët e bizneseve që zhvillojnë aktivitet tregtar përreth dhe në afërsi të stadiumit “Loro Boriçi” të tregohen mirëkuptues duke i mbyllur aktivitetet në orën 14:00.