Blushi: ARMO t’i kthehet publikut, prona është e shqiptarëve

27.01.2017 12:10:38

Kreiu i lëvizjes LIBRA, Ben Blushi ka deklaruar se situata e punonjësve të rafinerisë së naftës në FIER, ARMO, është tejet e rënduar. Duke parë se punëtorët nuk paguhen prej muajsh, Blushi thotë se kjo gjendje është krijuar nga mos reagimi i klientëve të Rilindjes që kanë privatizuar kompaninë.

Në një status në “Facebook”, deputeti i LIBRA-s thekson se me paratë që qeveria i ka dhënë Vangjush Dakos për Durrësin, do të mjaftonin për të dhënë pagat e prapambetura të punëtorëve.

“Rilindja që takson më shumë punën dhe trurin se dhjamin e ka braktisur njërën nga pronat me të vyera te vendit që është kompania ARMO. Çdo ditë punonjësit kërkojnë pagat dhe sigurimet e prapambetura të cilat nuk jepen nga klientët e Rilindjes. Sot ARMO po shfrytëzohet në mënyrë barbare dhe jo ligjore si gjithë sektori i naftës nga i cili humbim afro 200 milion euro në vit.

Meqë Rilindja e ka shitur ARMO padrejtësisht po them çfarë do bëjë LIBRA, – shkruan Blushi. – Do t’ia kthejë publikut. Shqiptarët duhet të jenë pronarët e kësaj prone që po vidhet, shpërdorohet dhe keqtrajtohet. Vetëm paratë që Rilindja i ka dhënë Vangjush Dakos për të shëmtuar Durrësin në katër vjet, do mjaftonin për të shlyer pagat ndaj punëtorëve dhe për ta kthyer ARMON në pasuri të përbashkët”.