Blushi: Largimi i Tahirit ishte kusht i Metës

12.03.2017 17:42:11

I ftuar në emisionin “E diell” të Adi Krastës, Ben Blushi komentoi sot ndryshimet që po ndodhin në qeveri. 

“Largimi i Saimir Tahirit ka qenë kushti i Ilir Metës ndaj Ramës, për vazhdimin e koalicionit dhe lëvizjet në qeveri janë tentativa e kryeministrit për të plotësuar dëshirën e aleatit të tij”, u shpreh Blushi.

Kreu i Libra-s tha gjithashtu se ministrat e tjerë po hiqen, janë një tentativë për të fshehur arsyen e vërtetë të largimit të ministrit të brendshëm.

Blushi sulmoi sërish kryeministrin Rama duke e akuzuar për mungesë të përgjegjësisë publike.

“Nuk e kuptoj se si mund të hiqen disa ministra njëkohësisht, vetëm për t’i kaluar në shërbim të partisë. Ku është përgjegjësia publike e qeverisë dhe e ministrave? Si mund të largohen ata nga detyrat publike, për t’u vënë në shërbim të partisë?”, tha deputeti.

Blushi tha se me këto lëvizje, qeveria po bëhet edhe më qesharake duke vendosur interesin e partisë, mbi interesin e Shqipërisë.