BNV kërkon status special për Sanxhakun, cilat do të ishin kompetencat dhe shtrirja e tij

26.05.2019 11:31:20

Këshilli kombëtar Boshnjak (Bošnjačko nacionalno veće – BNV) ka filluar “Iniciativën për zgjidhjen e statusit të boshnjakëve dhe të rajonit të Sanxhakut”.

Ky Këshill kërkon që Sanxhaku të ketë status special i cili do të kryente funksione të pushtetit qendror përmes organeve të Sanxhakut dhe përmes organeve të komunave që e përbëjnë Sanxhakun.

Territori i Sanxhakut, sipas kësaj iniciative, përfshinë komunat Novi Pazar, Sjenicë, Tutin, Prijepole, Nova Varosh, Priboj, Bjellopoje, Plevle, Beran, Andrievicë, Petnicë, Gusi, Plavë dhe Rozhajë, transmeton Koha.net.

“Kontrollin e kufijve të Sanxhakut, do ta bënin forcat ndërkombëtare të cilat do të garantonin lirinë e plotë të lëvizjes së njerëzve dhe të qarkullimit të mallrave”, theksohet në faqen e BNV-së, njoftojnë sot medie nga Beogradi.

Në iniciativë parashihet që Sanxhaku mund të përfaqësohet në organizatat ndërkombëtare kur bëhet fjalë për bashkëpunimin shkencor-teknik, kulturor-arsimor, në bashkëpunimin ekonomik dhe në fusha të tjera të parapara me këtë iniciativë.

Të drejtat dhe detyrimet e Sanxhakut, sipas kësaj iniciative, do të rregullohen me Kushtetutën e Sanxhakut.

“Sanxhaku është bashkësi politike territoriale e qytetarëve të barabartë dhe e popujve të cilët jetojnë në Sanxhak. shqiptarëve, boshnjakëve, malazezëve dhe serbëve të cilëve me kushtetutë të Sanxhakut do t’iu njihet statusi i popujve konstitutivë në Sanxhak”, thuhet në iniciativë.

Sanxhaku do të kishte Kuvendin e zgjedhur, Guvernatorin dhe Qeverinë si bartëse të pushtetit ekzekutiv përfshirë dhe Policinë që është nën kontrollin Qeverisë e do ta ketë gjyqësinë e pavarur.

Zgjedhjet e para për këto organe do të mbaheshin nën mbikëqyrje të Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe OSBE-së.

“Rajoni i Sanxhakut do të jetë gjithmonë i çmilitarizuar me mbikëqyrje të OKB-së e të Bashkimit Evropian dhe kjo gjë i obligon autoritetet shtetërore që në afatin prej 30 ditësh pas vendosjes së Statusi Special për Sanxhakun t’i tërheqin të gjitha efektivat ushtarake nga rajoni i Sanxhakut si dhe forcat policore që i tejkalojnë nevojat rrethanore. Kontrollin e kufijve të Sanxhakut do ta bënin forcat ndërkombëtare”, thuhet në iniciativë.