Bodrumet e lagjes Topane mbushen me ujëra fekale

22.07.2016 07:10:04

Erë që kundërmon rënd, ujë kanalizimi, fekale të ndryshme, mbeturina që barten sa në një anë në tjetrin. Kjo është gjendja momentale e banorëve të Topanës që katër ditë radhazi jetojnë me fekalet nëpër këmbë. Jo vetëm kaq, uji i kanalizimit u është shpërndarë nëpër gjithë bodrumet e ndërtesës. Ata thonë se dyzet vjet është e njëjta gjendje dhe alarmimi i tyre në komunë dhe organe tjera ka shkuar në vesh të shurdhër.

’’Përsëritet problemi se nuk e kanë kryer mirë punën, se kanë pastrue. 4-5 ditë që është kjo gjendje kështu . Na kemi fëmijë, era fillimisht nuk durohet, kush e merr këtë ajër fëmijët, ne të gjithë‘, deklaroi për Tv Shenja, një qytetarë.

Pagesa e rregullt nuk ndryshon gjendjen shumëvjeçare, ata më tepër frikësohen nga epidemitë e ndryshme që mund të shfaqen gjatë papastërtisë në oborrin e tyre.

‘’Kjo zakonisht përsëritet sepse në kanalizim drunjtë kanë lëshuar rrënjë, çdo muaj ndodh kjo e njëjta. Kjo është e rrezikshme për fëmijët tanë, si ashtu, neve fitojmë bakterie askush asgjë nuk ndërmerr vetëm paguajmë ujësjellës dhe kanalizim ndërkohë që s’marrin asnjë përgjegjësi për gjendjen‘’, tha një qytetare.

Kanalizimin thonë banorët e kanë pastruar disa herë përgjatë dyzet viteve, mirëpo asnjëherë nuk kanë ndërmarr diçka serioze për ta tejkaluar këtë problem.