Bomba autobusit të Dortmund, shtyhet sfida me Monaco

11.04.2017 21:50:15

Vetëm një orë përpara ndeshjes së parë çerekfinale të Champions ndërmjet Borussia Dortmund dhe Monaco, autobusi i skuadrës gjermane u godit nga tre shpërthime.

Ngjarja ndodhi vetëm pak çaste pasi mjeti që transportonte lojtarët verdhezi u nis drejt stadiumit, në vetëm 10 kilometra distancë nga “Signal-Iduna-Park”.

Policia nisi menjëherë hetimet, ndërsa sipas mediave gjermane nuk bëhet fjalë për atentat, por për një sulm të planifikuar, pasi eksplozivi ishte vendosur në rrugë dhe shpërtheu në momentin kur autobusi i Borussia Dortmund kaloi pranë.

Shpërthimi bëri që njëri prej xhamave të autobusit të thyhej, duke lënduar edhe mbrojtësin Marc Bartra. Lajmi u konfirmua nga klubi i Borussia Dortmund, megjithatë lojtari spanjoll nuk ka pësuar probleme serioze edhe pse është i tronditur.

Menjëherë pas shpërthimeve, ndeshja u shty. Kjo ishte dëshira e vetë lojtarëve të skuadrës gjermane. Në stadium nuk u regjistrua asnjë problem i rendit publik pas komunikimit të UEFA-s, madje tifozët e Monaco u solidarizuan me kundërshtarët, duke shfaqur mbështetjen për ekipin dhe lojtarët e Borussia Dortmund. Ndeshja do të luhet këtë të mërkurë në orën 18:45, ndërsa të gjitha biletat e shitura mbeten të vlefshme. /supersport.al/