Bonevet dhe IPKO krijojnë veturën e parë elektrike në Kosovë

21.11.2016 16:19:14

Të rinjtë e qendrës krijuese BONEVET e kanë nisur një projekt shumë inovativ dhe ambicioz, pikërisht në kohën kur e gjithë vëmendja e industrisë është tek makinat elektrike.

Marrëveshja mes IPKO dhe BONEVET parasheh fillimin e mega-projektit pesë-vejçar të quajtur EVIB për konvertimin e makinës Renault Twingo, e cila tani përdor derivate të naftës, dhe pas përfundimit do të funksionojë përmes rrymës, në mënyrë elektrike.

Prototipi i makinës elektrike të cilën do ta bëjnë ekipi prej 6 anëtarësh në BONEVET ka përfunduar dhe pjesët përbërëse të kësaj makine janë shtypur përmes printerit në 3D. Realizimi i projektit do të bëhet në mes të vitit të ardhshëm në makinën ekzistuese Renault Twingo.

“Ne jemi mahnitur me potencialin e këtyre të rinjëve për të shndërruar idetë e tyre në produkte inovative që për bazë kanë mbrojtjen e ambientit” ka thënë Robert Erzin, drejtor ekzekutiv në IPKO, pas nënshkrimit të marrëveshjes me BONEVET.

Ndërkaq Vëllaznim Xhiha, themelues i BONEVET ka thënë se është krenar për arritjen e marrëveshjes së parë mes hapësirës krijuese Bonevet me industrinë e Kosovës.

“Bonevet është një qendër e cila e stimulon kreativitetin e të rinjëve, e cila ka rëndësi shumë të madhe në krijimin e fëmijëve jo vetëm si teknik por edhe si persona. Në Bonevet fëmijët mësojnë me e zbulu talentin e vet – e kjo më pas ju çelë atyre rrugën për karrierën e tyre profesionale.

IPKO po mbështet këtë iniciativë e cila do të zhvillohet tërësisht nga anëtarë të BONEVET.

Më shumë detaje për makinën elektrike të Bonevet gjenden në storjen e krijuar nga TV Dukagjini.