Bonucci: Në çerekfinale dua Barcelonën dhe jo Bayern!

15.03.2017 20:39:13

Nëse Buffon dëshiron të shmangë vetëm Leicester, Leonardo Bonucci, i ka idetë e qarta se cilin do të donte të sfidonte në çerekfinalet e Champions League. “Kundërshtari që më entuziazmon më shumë është Barcelona. Do të ishte një stimul i madh për ne që të ndesheshim me skuadrën që na ka mposhtur në finalen e dy viteve më parë. Sipas mendimin tim, për momentin, pasi eliminoi PSG, Barcelona është ekipi në gjendjen më të mirë psikofizike, por nuk i druhem dhe do të kisha shumë dëshirë të përballesha me katalanasit,” – tha mbrojtësi i Juventus.

Ndërkohë, i pyetur se cilën skuadër do të donte të shmangte në shortin e ditës së premte, Bonucci shtoi: “Nëse do të kisha mundësi të zgjidhja nuk do të doja të luaja kundër Bayern Munich. Për mendimin tim është një skuadër krejtësisht e kompletuar dhe që me Ancelotti në stol ka dhënë provat se do të vazhdojë serinë e fitoreve, si me Guardiola në të kaluarën. Eshtë kundërshtari më i vështirë, por në finale nuk i druhem sepse në një ndeshje teke mund të ndodhë gjithçka.”

Në fund, në lidhje me episodin e sherrit me trajnerin Allegri, Bonucci pohoi: “Në harkun e një sezoni janë gjëra që mund të ndodhin. Ashtu si e thashë kjo shërbeu për të çimentuar edhe më shumë bashkëpunimin. Bashkimi mes futbollistëve, trajnerit dhe klubit është sekreti i ekipit tonë. Duhet gjithmonë të tregojmë respektin e duhur, secili për rolin e tij. Unë gabova dhe e pagova. Trajneri më ka thënë se gjithçka është arkivuar dhe të shohim përpara. E rëndësishme është të kesh inteligjencën për të kuptuar kur për një moment gabon dhe nis të përmirësohesh duke u nisur nga ky gabim.” /telesport.al/