Bora në Kosovë: Ministria tregon gjendjen e rrugëve

25.02.2018 20:02:29

Të reshurat e fundit të borës kanë vështirësuar qarkullimin e automjeteve në komunikacion.

Por pavarësisht telasheve, të gjitha rrugët në vend janë të kalueshme.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka bërë të ditur se pavarësisht motit me borë dhe temperatura të ulëta, rrugët magjistrale dhe autostradat në Kosovë janë të kalueshme.

“Kompanitë e mirëmbajtjes nën mbikëqyrjen e menaxherëve tonë rajonal janë në detyrë. Rrugët që i takojnë Ministrisë së Infrastrukturës do të kenë vëmendjen e shtuar, por kjo nuk nënkupton që nuk jemi të gatshëm t’iu dalim në ndihmë edhe komunave në rrugët e tyre nëse kjo do të jetë e nevojshme. Rrini me vëmendje për ngrica sidomos gjatë natës ku temperatura do të jetë minus”, ka thënë Lekaj.