Boris Johnson: Rusia mund të ketë kryer krime lufte në Siri

25.09.2016 17:26:16

Sipas sekretarit të Jashtëm britanik, Boris Johnson, Rusia mund të ketë kryer krim lufte, nëse qëndron ajo pas sulmit ndaj autokolonës me ndihma të OKB-së në Siri.

Johnson i tha BBC-së se duhet pyetur nëse forcat ruse i kanë shënjestruar civilët qëllimisht, kur 18 kamionë dhe një depo u shkatërruan nga sulmi i së hënës, gjatë të cilit humbën jetën 20 vetë.

Rusia mohoi çdo përgjegjësi, duke ua faturuar sulmin rebelëve apo edhe ndonjë dronei amerikan. Shtetet e Bashkuara reaguan pas ngjarjes, duke thënë se në goditjen e autokolonës ishin përfshirë dy aeroplanë rusë.

Kryediplomati britanik shkon edhe më tej me pretendimet se karvani i ndihmave mund të jetë shënjestruar qëllimisht.

“Vladimir Putin, jo vetëm ia dorëzon revolverin Bashar al-Assadit, por në disa raste e shkrep këmbëzën vet. Duhet të verifikojmë nëse ka pasur apo jo goditje të qëllimtë, edhe pse dihej fare mirë se cilët ishin civilët e pafajshëm në shënjestër. Ky është krim lufte”, tha Johnson.

Sulmi detyroi Kombet e Bashkuara të pezullonin shpërndarjen e ndihmave në Siri. Bombardimi i zonave të kontrolluara nga rebelët në Aleppo ka vazhduar përgjatë të gjithë javës, pas përfundimit të armëpushimit, duke e detyruar Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-moon të shprehet i tmerruar nga “përshkallëzimi i skajshëm” i situatës në këtë qytet.