Borissov leksion BE-së nga Tirana: Kapërceni egoizmin që keni ndaj Ballkanit

04.06.2018 23:12:22

Po ashtu si edhe në konferencën e përbashkët me Kryeministrin Rama edhe në Konferencën kundër ekstremizmit të dhunshëm që po mbahet në Tiranë, Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borissov, u shpreh se vendet e Ballkanit Perëndimor dhe kryesisht Shqipëria duhet të mbështeten nga vendet e BE dhe egoizmi i disa prej tyre duhet të kapërcehet.

“Egoizmi i disa vendeve europiane duhet të kapërcehet ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, por sigurisht qenë këto vende duhet të ketë edhe reforma. Takimi i sotëm tregon pikërisht që Shqipëria bën përpjekje. Unë besoj se ne duhet të mbështesim këtë qendër për luftën kundër ekstremizmit. Vendi më i bukur i botës është më i varfër dhe më i prapambetur. Elita politike duhet të marrë mësime dhe të punojë më mirë”, tha kryeministri i Bullgarisë.

Ai madje vazhdoi më tej t’i jepte një leksion të vërtetë BE-së nga Tirana, duke thënë se “asnjë shtet nuk duhet të mendojë se është më i madh dhe i mençur se të tjerët”, pasi të gjithë duhet të pranohemi si të barabartë.

Sa i përket ekstremizmit të dhunshëm, Borissov tha se “nuk do të lejojmë që të mbillet fara e terrorizmit në Ballkan”.

“Rajoni i Ballkanit është më i ndërlikuari dhe më i prekuri nga luftërat. Toleranca etnike është i vetmi ilaç për Ballkanin, pasi më parë kemi qenë nën robërinë turke për 500 vite. Ne jemi të afërt dhe shumë të largët në të njëjtën kohë, në bazë të fesë. Korridori 8 nga Azia drejt Italisë dhe Korridori 10 nga Shkupi në Nish do të transformojë Ballkanin. Zoti na ka falur territorin më të bukur dhe jemi popuj të mrekullueshëm e punëtor, secili me krenarinë kombëtare dhe besimin në zotin e vetë”, u shpreh Borissov.

Për të treguar se hedhja pas krahëve e ndasive etnike është e vetmuja rrugë për të bashkuar Ballkanin me Europën, Borisov listoi disa raste pozitive.

“Ka edhe shembuj pozitivë. Me presidentin Erdogan bëmë hapa përpara, pasi në Stamboll “Kisha e Hekurt” me 12 kryqtarë u riaparua dhe u bë një vend i mrekullueshëm edhe për turistët dhe ortodoksët që jetojnë atje. Atje dhamë një shembull të mirëfilltë për bashkëjetesë. Edhe në Sofje bëra që Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç të shtrëngojnë duart. Aleksis Tsipras dhe Zaev dhanë një deklaratë të përbashkët shtypi për emrin, pasi kjo është perspektiva për rrugën evropiane të vendeve të Ballkanit”, theksoi ai.