Brahim Shala rrëfen rreth vrasjes së e vëllezërve Valon e Ali Islamaj si dhe të Zef Krasniqit

25.08.2016 16:46:53

Brahim Shala nga Cermiani i Gjakovës ka pranuar të rrëfejë krejt çka ai di rreth vrasjes së e vëllezërve Valon e Ali Islamaj si dhe të Zef Krasniqit, që u krye të martën pasdite, në Çarshinë e qytetit.

I dyshuari kryesor për vrasjen e trefishtë është djali i tij, Qëndrim Shala, bashkë me shokun e tij, Veton Gjoshi.

Brahimi ka rrëfyer për dy telefonatat që mori nga i biri në ditën kritike, i cili i tregoi vet për vrasjen që kishte kryer, për historinë e konfliktit të tij me Zef Krasniqin dhe vëllezërit e njohur si Madanaj.

Po endej në oborrin e shtëpisë me telefonin që nuk reshte së rëni.

Brahim Shalën po e thërrisnin shumë miq e familjarë për t’i dhënë kurajë dhe forcë, pasi djali i tij 25 vjeçar, Qëndrimi, dyshohet të jetë njëri prej autorëve të një vrasje të trefishtë që ndodhi në Çarshinë e Gjakovës, dy ditë më parë.

Duke na shikuar me shumë habi nga larg, herë pas here bën edhe ndonjë hap të vogël drejt nesh. Për të ishim të panjohur dhe po i trokisnim në derë të shtëpisë së tij në Cermian, vetëm një ditë pasi ndodhi vrasja, të cilën dyshohet se e kreu djali i tij bashkë me moshatarin e vet Veton Goshi.

49 vjeçari pranoi të rrëfejë për Gazetën Express krejt çka di rreth vrasjes që ndodhi të hënën, por edhe për konfliktet e mëhershme që kishte pasur vetë ai me viktimat. Si pasojë e atyre konflikteve, në shenjë hakmarrjeje, tash dyshohet që i biri tij ta ketë kryer vrasjen.

I shkatërruar nga gjithë ngjarja, por duke ruajtur pak krenari, pasi konsideron se djali i mbrojti edhe nderin e familjes – që ende me fanatizëm ruhet nga burrat e zonës së Dukagjinit e sipas ligjeve të Kanunit – Brahim Shala nis të tregojë sesi grupi prej tre personave që tashmë janë të vrarë, bashkë me edhe disa të tjerë që ai i konsideron rrugaçë, vazhdimisht i kishin krijuar probleme e konfrontime në 16 vitet e fundit – që prej kohës kur Shala kishte shërbyer si pjesëtar i Shërbimit Policor të Kosovës.

“Çka s’kanë bo deri sa më detyrun me hek dorë prej aty e mu largu”, thotë ish-polici gjakovar, që pretendon se telashet që grupi i krijonte e kishin shtyrë atë ta lër punën në SHPK.

Duke na treguar për ditën kritike kur ndodhi vrasja në Çarshi të Gjakovës, thotë se rreth një orë para se të ndodhte gjithçka, Qëndrimi bashkë me nënën e tij dhe shokun Veton Gjoshi – i dyshuar si bashkautor i vrasjes – kishin qenë duke qëndruar në një pastiqeri në rrugën “Ismail Qemajli”, ku ishin takuar me tri viktimat, me të cilët kishin nisur një fjalosje, pasi ishin provokuar nga ta.

“Koke rrit koke bo taman”, thotë t’i ketë treguar Qëndrimi se i ka thënë Valon Islamaj, duke mbajtur dorën në shokë, ku kishte një pistoletë.

Pastaj, sipas tij, vëllezërit Valon e Ali Islamaj e Zef Krasniqi e kanë fyer rëndë me nënë djalin e tij, ani pse ajo ishte e pranishme aty.

Menjëherë pasi tregon se ka pranuar një telefonat nga djali i tij, ku i ishte betuar se do t’i vriste të tre këta persona “për të mbrojtur nderin dhe për të marrë hakun për babanë”.

Brahim Shala më pas thotë se i ka kërkuar djalit të kthehet menjëherë në shtëpi bashkë me nënën dhe t’ia sjellë veturën në mënyrë që të parandalonte çfarëdo veprimi të tij.

“S’ka shku shumë, kanë ardh, ma ka pru kerrin edhe mos s’kam ditë ka ka shku as qysh ka shku”, rrëfen burri që tash e disa vite drejton një kompani të sigurimit fizik në Gjakovë.

“S’ka shku as ni orë edhe më ka thirr Qëndrimi edhe më ka thanë ‘Babë u kry ajo punë’”, kujton ai bisedon e fundit që e kishte me djalin e tij 25 vjeçar, pasi ai t’i ketë shkrepur disa plumba mbi tre viktimat që qëndronin ulur në një lokal përballë ëmbëltores ku kishte nisur fjalosja e asaj dite.

Shala më pas ka treguar për konfliktet në të kaluarën.

Ai ishte plagosur 8 vite më parë nga Zef Krasniqi, gjë për të cilën ky i fundit ishte në një proces gjyqësor që kishte rinisur, pasi prokuroria nuk mjaftohej me dënimin prej 3 vite burgim për tentim vrasje dhe armëmbajtje pa leje.

“Djali mu më ka pa gati të vdekur kur me kanë plagosë”, kujton ai ngjarjen e 24 nëntorit 2008 ku ishte qëlluar me një plumb në barkë viktima Krasniqi i shoqëruar nga viktima tjetër Valon Islamaj dhe një person i tretë.

“Masi edhe me kanë plagosë, më kanë kërcënu prapë. Kjo është kon fundi i botës për mu. Qe erdh puna edhe djali më ardhë më dal mi vra”, thotë ai duke treguar edhe për konfliktin që kishin pasur vëllezërit Islamaj, të njohur si Madanaj, me shokun dhe vartësin e tij Gjelbrim Gjoshi – vëllai i të dyshuarit tjetër Veton Gjoshi – në klubin e natës ku shef i sigurimeve është Brahim Shala.

f111

Qëndrim Shala (majtas) – Veton Gjoshi (në mes) – Brahim Shala (djathtas)

“Më ka ranu shumë, është humbje shumë e madhe për mu”, thotë 49 vjeçari, i cili deri në ato momenti arriti t’i përmbajë lotët e mërzisë që ka për veprimin që e pranon se e kreu i biri, i cili ende ndodhet në arrati. Por kur thotë se “Me vite mbrapa më ka kthy, ma ka hup djalin”, lotët e tradhtojnë dhe për një moment përtej burrërisë, shpërthen në vaj.

“Smuj e akuzoj djalin, ska pasë shancë me i ikë kësaj situate”, vazhdon rrëfimin, duke fshirë lotët nga sytë.

“S’jena msu kush me na prekë fytyrën, e as nuk ja prekim fytyrën kuj”, e thotë si ngushëllim për veten.

Të mërkurën pasdite, gati 24 orë pas ngjarjes, në fshatin Cermian nuk kishte ndonjë patrullë policore që siguronin shtëpinë e njërit nga dorasit.

Pa marrë parasysh këtë, Brahim Shala thotë se ndjehet shumë i sigurt dhe s’ka frikë se dikush mund t’i hakmerret atij, ndonëse tregon hapur se s’ka besim tek autoritetet e sigurisë, të cilave u kishte shërbyer edhe vetë për disa vite pas lufte.

“Siguria te na nuk është kerka hiq, edhe kanë lidhje tepër të thellë”, aludon ai për ndikim të viktimave dhe grupit të tyre që kanë në Polici, Gjykata e Prokurori.

Për më tepër ai nga tregoi edhe mesazhet fyese e kërcënuese që ka marrë pas ngjarjes së të martës pasdite të cilat pretendon se fare nuk e po e shqetësojnë.

Të mërkurën janë sjellë dëshmi dhe versioni i hetuesisë dhe prokurorisë se si vrasja e Valon e Ali Islamaj dhe Zef Krasniqit lidhej me hakmarrje për shkak të disa konflikteve të më hershme. Edhe në versionet e para të prokurorisë dhe policisë, tregohej se Qëndrim Shala nga Cermiani dhe Veton Gjoshi nga Smolica, kishte marrë hak për babanë, respektivisht vëllain, kur qëlluan për vdekje tre viktimat të martën rreth orës 16:00 në Çarshinë e Gjakovës. Aty përfshihej edhe aktgjykimi ndaj Zef Krasnqit për plagosjen e Brahim Shalës, 8 vite më parë në qendër të qytetit, dhe historia e konfliktit të vëllezërve Madanj me Gjelbrim Gjoshin, vëllain e të dyshuarit tjetër Veton Gjoshi.

Qëndrim Shala dhe Veton Gjoshi kanë miqësi të ngushtë, që lidhet edhe me marrëdhënien e afërt të babait të Qëndrimit, Brahim Shalës me vëllain e madh të Vetonit, Gjelbrin Gjoshi. Po aq miqësi të afërt, gjithnjë kanë pasur edhe vëllezërit Islamaj nga fshati Madanaj i Gjakovës me Zef Krasniqin.

tre

Tre viktimat: Ali Islamaj – Valon Islamaj – Zef Krasnqi

Dy të rinjtë, të dyshuar, vazhdojnë të ndodhen në arrati, derisa policia të martën mbrëma dhe të mërkurën gjatë ditës kanë bastisur disa lokacione të ndryshe në ndjekje të tyre, përshirë edhe shtëpitë e tyre në Cermian, respektivisht në Smolicë.

Herën e fundit që ata janë parë, sipas dëshmitarëve, pasi kanë kryer vrasjen në Çarshi, ata janë larguar me dy vetura njëra Fiat Uno dhe një Golf 2.

Të mërkurën, është kontaktuar të kontaktohet edhe me familjarë të Zef Krasniqit, por nuk kanë pranuar të bisedojnë. Kontakt s’kanë dashur të kenë as disa familjarë të vëllezërve Valon e Ali Islamaj.