Brazil: Arrestohen 10 persona, dyshohet se planifikonin sulme terroriste

21.07.2016 18:32:42

Policia e Brazilit i ka arrestuar 10 pjesëtarë të dyshuar të grupit, i cili ka planifikuar sulme gjatë Lojërave Olimpike Verore, që fillojnë më 5 gusht në Rio-de-Zhanejro.

Ministri i drejtësisë i Brazilit, Alexandre de Moraes, tha se edhe dy pjesëtarë të këtij grupi po kërkohen dhe ka shtuar se grupi kishte biseduar për përdorim të armatimit dhe të taktikës guerile për të lansuar sulme gjatë Olimpiadës.

Megjithatë de Moraes ka vlerësuar se ky grup i shtetasve të Brazilit ishte “celulë absolutisht amatore” dhe e “paorganizuar”.

Këta komplotistë të dyshuar ishin arrestuar në gjithë Brazilin dhe ishin në kontakt nëpërmjet shërbimeve të mesazheve, ËhatsApp dhe Telegram.

Autoritetet, po ashtu, i kanë minimizuar lidhjet e tyre me grupin ekstremist, Shteti Islamik, megjithqë disa prej tyre kishin shprehur lojalitet ndaj IS-it.

Çështja e sigurisë gjatë Olimpiadës është prioritet madhor, prandaj autoritetet i kanë dërguar atje afro 85 mijë policë dhe ushtarë, të cilët do të patrullojnë gjatë lojërave.