Brazili konfirmon momentin e mirë, mposht Gjermaninë në Berlin

28.03.2018 00:09:47

Brazili ka marrë fitoren e dytë në 4 ditë, në po aq miqësore të luajtura, teksa këtë herë ka mposhtur Kampionët në fuqi të Botës, Gjermaninë, me rezultatin minimal 1-0.

Në ‘Olympiastadion’ të Berlinit, Gjermania ishte skuadra që kontrolloi më gjatë topin, por pa arritur të kërcënojë rrezikshëm portën e brazilianit Alisson. Nga ana tjetër, skuadra e trajnerit Tite priste në gjysmë fushë dhe nisej shpesh rrezikshëm drejt portës së Kevin Trapp.

Në një rast të ngjashëm, erdhi edhe goli për brazilianët, ku pas një krosimi të Willian, ishte sulmuesi i Manchester Cityt, Gabriel Jesus, që goditi me kokë dhe dërgoi topin në rrjetë, në minutën e 37’ të takimit.

Edhe në vijim, takimi pati të njëjtën tablo, teksa Gjermanët kërkuan vazhdimisht të gjejnë golin e barazimit, ndërsa Brazili iu afrua shpesh golit të dytë, me anë të kundërsulmeve të rrezikshme.

Vlen të përmendet se trajneri i Gjermanisë, Joakim Low kreu 5 nga 7 zëvendësimet e mundshme, ndërsa homologu i tij brazilian, vetëm një, ku largoi Coutinhon, për të hedhur në fushë Douglas Costën.