Brenda pak orësh, theren me thikë katër persona në Prishtinë

08.07.2019 11:58:53

Vetëm gjatë ditës së djeshme, në kryeqytet janë therur katër persona brenda pak orëve.

Policia e Kosovës, ka njoftuar se gjatë ditës së djeshme në Prishtinë janë therur me thikë katër persona.

Në rrugën “Bedri Pejani”, në ora 18:02, është regjistruar rasti i parë i therjes me thikë, shkruan aljmi.net.

Sipas policisë, është arrestuar i dyshuari, pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje rreth një borxhi ka sulmuar me thikë viktimën me ç’rast i ka shkaktuar lëndime trupore.

“Viktima është dërguar për tretman mjekësor në QKUK. Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, bën të ditur Policia e Kosovës.

Pak orë më vonë, në qendër të kryeqytetit, në rrugën “Luan Haradinaj”, përkatësisht në platenë e Pallatit të Rinisë, një person është therur me thikë nga një i panjohur.

Sipas policisë, viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe më pas është liruar. Po ashtu edhe një dëshmitar duke tentuar që të mbrojë viktimën është gërvishtur në dorë aksidentalisht. Njësitë policore janë duke e hetuar rastin.

Po ashtu, në rrugën “Garibaldi”, në ora 23:22, ka ndodhur një therje tjetër, shkruan më tutje lajmi.net.

Sipas Policisë së Kosovës, i dyshuari me inicialet N.N., ka therur me thikë dy persona.

Të lënduarit janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, kurse Policia e Kosovës ka njoftuar se duke e hetuar rastin.