Britani, shkolla për fëmijët e emigrantëve që të mësojnë gjuhën shqipe

26.10.2016 13:40:30

Çështja e të mësuarit të gjuhës shqipe nga fëmijët e familjeve emigrante jashtë Shqipërisë po kthehet në një tematikë  parësore dhe shumë të diskutuar për mënyrën e trajtimit sa më efikas të këtij fenomeni.

Raporti me gjuhën amtare është një problem i ndërlikuar për familjet e emigruara. Duke menduar ngarkesën që çdo familje emigrante has në përditshmëri, lidhur me punën dhe përshtatjen me vendin mikpritës, është e nevojshme mbështetja nga shqiptarët e tjerë, të cilët me punë dhe përpjekje kanë formuar Shoqata Shqiptare, për ti ardhur në ndihmë pikërisht bashkatdhetarëve të tyre. Këtë qëllim sublim e ka Shoqata shqiptare “Nënë Tereza”, në Mbretërinë e Bashkuar. Kjo Shoqatë, e cila kryesohet nga zoti Esat Braçe, jo vetëm që nuk i lë vetëm emigrantët shqiptar, por mundohet t’i ndihmojë me të gjitha mënyrat që ajo disponon.

Ndër nismat kryesore të Shoqatës, një prioritet të veçantë kanë shkollat shqipe të hapura në Londër. Ndër to do të numëroja: Shkolla shqipe në Barnet, Enfield dhe Haringey të cilat startuan sërish vitin e ri akademik më dt: 17.09.2016. Tashmë mësimi i gjuhës shqipe,është kthyer në traditë në Shoqatën “Nënë Tereza”. Shkollat në bankat e tyre, përfshijnë fëmijë të grup-moshave 5 deri në 15 vjeç. Rëndësia e mësimit plotësues që shkollat shqipe ofrojnë, konsiston pikërisht në përkrahjen e gjuhës amtare, e cila është shumë e rëndësishme për formimin gjuhësor të fëmijës jo vetëm për të sotmen e tij por edhe për të ardhmen e shoqërisë në tërësi. Fjalët e para në gjuhën shqipe, fëmijët i mësojnë në gjirin familjar duke u pasuar me vizitat në Atdhe apo hulumtimet në internet. Por ajo që ata i plotëson me informacion të saktë dhe të sigurt është programi akademik që ofrohet nga shkollat shqip. Aty,nxënësit  mësojnë tingujt, artikulimin dhe drejtshkrimin e tyre në gjuhën shqipe. Kjo është një tjetër çështje shumë e rëndësishme, pasi jo rrallë fëmijët e flasin gjuhën shqipe me dialektet krahinore të zonave që kanë prejardhjen.

Dialekti gjuhësor është aset, e të gjithë jemi krenar për dialektin që trashëgojmë, Gegë apo Toskë, janë të dy thesar i paçmuar, por e drejta është që fëmijët të mësojnë gjuhën letrare shqiptare, atë të zhveshur  nga dialektarizmat, e cila i jep mundësinë të gjithë shqipfolësve të kuptohen qartë. Qëllimi i të mësuarit të gjuhës shqipe është mjaft i gjerë, nuk është vetëm në aspektin atdhetar. Ai ndihmon dhe pasuron gjuhën e fëmijës, në të shprehur, artikuluar dhe shkruar. Gramatika e gjuhës shqipe është mjaft e pasur. Mjafton të sjellim ndërmend alfabetin shqip,i cili përbëhet nga 36 shkronja. Këto 36 shkronja të japin mundësinë e shqiptimit të të gjithë tingujve gjuhësore, madje të disa tingujve që në gjuhën angleze nuk janë. Shkronjat e përbëra gjithashtu ndihmojnë lidhur me tingujt e gjuhës shqipe. Fëmijët njihen me këto shkronja dhe bëhen të aftë të flasin me një fjalor të pasur gjuhësor. Zhvillimi i gjuhës letrare shqipe jashtë Shqipërisë, është një tregues i mirëfilltë i ecurisë së kulturës së vendit tonë.

Këtë gjuhë letrare të cilën Shoqata Nënë Tereza po e mbështet gjerësisht me qëllim që të përdoret si mjet zhvillimi dhe progresi nga të gjithë shqiptarët jashtë territorit shqiptar. Mësimdhënia në drejtshkrimin shqip ka parasysh jo vetëm gjendjen e sotme ku ndodhet gjuha shqipe,por sa herë ajo evoluon,edhe programi  i shkollave shqip,rinovohet me informacionin e ri, që nxënësit shqiptar jashtë Shqipërisë,të përgatiten me materialin bashkëkohor ekuivalent që aplikohet te nxënësit shqiptar në Shqipëri. Kjo punë e palodhur, e mundimshme por mbi të gjitha e bukur, bëhet për qëllimin kryesor, mësimin e ortografisë, drejtshkrimit dhe artikulimit te gjuhës shqipe. Krahas gjuhës shqipe, trajtohen edhe zakonet dhe traditat shqiptare, të cilat kanë një prejardhje të lashtë. Në shkollat tona, kemi nxënës nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, Veriu, Shqipëria e Mesme dhe Jugu. Ka kaq shumë material për ti treguar dhe mësuar këtyre fëmijëve ,doket dhe zakonet shqiptare. Folklori ynë është mjaft i pasur, aq i pasur sa ta bëjë të ndihet krenar cilindo shqiptar, të kujtdo krahine.

Çdo shqiptar emocionohet kur dëgjon Himnin e Shqipërisë apo kur shikon të valëvitet flamuri ynë kuqezi, dy simbolet më kryesore të vendit tonë. Këtë emocion, krenari dhe dashuri për atributet e vendit tonë, mundohemi t’ia transmetojmë pikërisht nxënësve që prindërit shqiptar neve na kanë besuar. Ata akoma janë të vegjël për t’i kuptuar rëndësinë, por kjo kulturë që ata po marrin, do iu shërbejë gjatë gjithë jetës së tyre. Traditat shqiptare, në të cilat pikasin mikpritja e ngrohtë dhe bujare e mysafirit, nderi dhe respekti që ja përkushtojmë mysafirit,që nga ardhja e deri në largimin e tij,tregon dukshëm,bujarinë, fisnikërinë shqiptare. Ky shembull i thjeshtë, i jep një edukatë të vlefshme brezave të rinj. Shoqata iu jep mundësinë të rinjve që ndjekin mësimet në shkollat shqipe të saj të njihen me dy grupimet etnografike shqiptare, Gegëria në veri te lumit Shkumbin dhe Toskëria në jug të tij.

Esat Brace,  kryetar i shoqatës “Nënë Tereza” në Londër , shprehet se fëmijët duhet të njohin traditën dhe kulturën e vendit të tyre. Prindërit duhet të ndërgjegjësohen për tu dhënë më shumë dije fëmijëve të tyre. “Nxënësit mësojnë se Gegëria përbëhej nga Gegëria e mirëfilltë, Dukagjini  apo Leknia, Malësia dhe Fushat Bregdetare të Veriut,ndërsa Toskëria nga Myzeqeja,Labëria dhe Çamëria. Duke marrë parasysh se edhe pse shqiptar, fëmijët jo të gjithë kanë këtë informacion, ne përpiqemi që në mënyra dhe forma argëtuese nxënësit të njihen me këtë kulturë e cila na përfaqëson ne, brez pas brezi. Shoqata “Nënë Tereza”, në Mbretërinë e Bashkuar, sensibilizon dhe ndërgjegjëson prindërit shqiptar emigrant,të shfrytëzojnë mundësitë që ajo i ofron, për ti dhënë më shumë dije fëmijëve të tyre,më shumë kulturë shqiptare. E drejta për të mësuar gjuhën, traditat dhe zakonet shqiptare të mos iu mohohet fëmijëve shqiptar jashtë trevave të Shqipërisë!”, tha Braçe