Britani/ Tjetër rekord negativ, 936 viktima në 24 orë

08.04.2020 15:48:37

Në Britaninë e Madhe në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 936 persona për shkak të COVID-19, duke e çuar numrin total të viktimave në 7095.

Ky është një tjetër rekord negativ sa i përket viktimave në një ditë, duke e theluar krizën dhe duke e shtuar frikën se zgjidhja është shumë larg dhe karantinimi do të duhet kohë që të hiqet.

Ndërkohë që numri i të infektuarve ka shkuar në mbi 55 mijë. “NHS England” konfirmoi 828 njerëz të vdekur në spitalet e saj, të moshës midis 22 dhe 103 vjeç.

Skocia, ku janë konfirmuar 77 vdekje të tjera, gjithashtu diagnostikoi 336 infeksione të reja në 24 orët e kaluara. Uellsi njoftoi 284 teste pozitive dhe 33 vdekje. Pesë vdekje të tjera u regjistruan në Irlandën Veriore.

Duhet thënë se shkalla e vërtetë e shpërthimit është e panjohur sepse vetëm pacientët në spital dhe stafi i kujdesit shëndetësor bëjnë testime.