Britania kalon Italinë, ka bilancin më të lartë të viktimave nga koronavirusi në Europë

05.05.2020 20:48:27

Britania e Madhe lë pas Italinë dhe arrin një rekord tepër të zymtë, duke u bërë vendi europian me më shumë viktima. Në ditën e fundit u shënuan 693 të vdekur nga Covid-19, me një total prej 29 427 humbje të jetëve. Qeveria e Londrës po përgatit masa lehtësuese, ndërsa nuk ka caktuar akoma një datë për nisjen e rihapjes graduale të ekonomisë.

Rritje shënuan edhe rastet e reja në Britani. Të prekurit në këtë shtet janë mbi 190 mijë. Ndryshe paraqitet situata në Spanjë. Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se në 24 orët e fundit u regjistruan 185 vdekje nga koronavirusi i ri, duke e çuar bilancin në mbi 25 600 viktima.

Edhe pse kufizimet janë lehtësuar paksa në këtë shtet, përhapja e COVID-19 është frenuar tek popullata por jo tek sistemi shëndetësor. 70% e rasteve të reja në ditën e fundit ishin nga bluzat e bardha.

Faza e dytë e bashkëjetesës me pandeminë në Itali ka ndikuar në bilancin ditor. 236 humbje jetësh u raportuan në 24 orët e fundit, duke zbehur paksa shifrat e ulëta të ditëve të fundit.

Në total virusi pandemik ka shkaktuar më tepër se 29 mijë viktima në shtetin fqinj. Rastet e reja shënuan rritje, me mbi 1300 të tilla.

Që prej shpërthimit të pandemisë, në Itali janë infektuar më shumë se 213 mijë njerëz. Rritja e shifrave gjatë rihapjes graduale të ekonomisë në këtë shtet parashikohet edhe nga një studim i Kolegjit Imperial të Londrës.

Sipas tij, Italia rrezikon të regjistrojë dhe 23 mijë viktimave të tjera nga Covid-19 në këtë periudhë tranzicioni. Si pjesë e masave lehtësuese, është rihapur dhe Aeroporti i Bergamos për fluturimet me pasagjerë. Ndërsa kryeministri, Giuseppe Conte falënderoi qytetarët duke thënë se janë treguar të përgjegjshëm.