Britania: Rusia qëndron mbrapa sulmit kibernetik në Gjeorgji

20.02.2020 21:09:49

Qeveria britanike ka thënë se inteligjenca ushtarake ruse (GRU) ka qenë mbrapa “tentimeve për të dëmtuar sovranitetin e Gjeorgjisë”.

Ministri i Jashtëm britanik, Dominic Raab e ka përshkruar këtë incident si “absolutisht të papranueshëm”.

Ministria e Jashtme ruse ka mohuar të japë koment, ka thënë agjencia e lajmeve RIA.

Qendra Kombëtare për Siguri Kibernetike e Britanisë ka gjetur se GRU “ka qenë pothuajse me siguri” mbrapa sulmeve që kanë prekur mijëra faqe, përfshirë atë të presidentit dhe transmetuesit televiziv kombëtar.

Ky njëherësh është konsideruar shembulli i parë i madh i një sulmi të tillë të kryer nga GRU, prej vitit 2017.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo po ashtu ka dënuar sulmet duke thënë: Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje Rusisë të ndalë këtë qasje në Gjeorgji dhe kudo”.

Në shumë raste, faqet online janë zëvendësuar me një fotografi të ish-presidentit gjeorgjian, Mikheil Saakashvili, me përshkrimin “Unë do të kthehem”.

Saakashvili ka shërbyer dy mandate si president në Gjeorgji në periudhën 2004-2013, shkruan REL.

Ai ka hequr dorë nga shtetësia gjeorgjiane më 2015, kur është bërë guvernator i rajonit ukrainas, Odesa.