Britanikët skeptikë ndaj vaksinës: Gjysma e të anketuarve thonë se nuk do ta marrin

09.08.2020 14:56:14

Një hulumtim që është bërë në Britaninë e Madhe thotë se të rinjtë në këtë vend parapëlqejnë dy herë më shume të mos vaksinohen për dallim nga moshat e vjetra.

Vetëm 53% të britanikëve thonë se do të marrin vaksinën kundër COVID-19, thonë hulumtimet e King’s College të Londrës.

Një në gjashtë nga të intervistuarit (16%) thonë se përfundimisht nuk do ta marrin vaksinën kundër COVID-19, tregon sondazhi i bërë me 2,237 njerëz të moshave nga 16 deri në 75 vjeç.

Hulumtimet thonë se njerëzit refuzojnë që të marrin vaksinën për shkak të qëndrimeve të tyre rreth shkencës apo autoriteteve sesa arsyet që lidhen me vetë koronavirusin.

22% e njerëzve të anketuar të moshës 16-33 vjeç thonë se nuk do ta marrin vaksinën, për dallim nga moshat e vjetra ku vetëm 11% e të anketuarve nga mosha 55-75 vjeç refuzojnë të vaksinohen.

Njerëzit që besojnë se maskat janë të dëmshme për shëndetin e njeriut dhe nuk e ndalin shpërndarjen e virusit, ishin ndër ata të cilët refuzojnë të vaksinohen, shkruan Sky News.

Nga ata që thonë se nuk do të vaksinohen, 34% prej tyre besojnë se qeveria është duke tentuar ta kontrollojë popullatën duke i bërë ata që të vendosin maskë, ndërsa 36% mendojnë se është duke u bërë shumë bujë me pandeminë.