Buffon mes legjendave në Champions, 50 ndeshje pa pësuar gol

13.02.2019 17:01:14

Nuk është sulmues, që rekordet ia matin me gola, megjithatë ka për çfarë të krenohet, edhe pse luan mes shtyllave. Suksesi 2-0 e PSG ndaj Manchester United, të martën në mbrëmje, shënoi një arritje të veçantë për portierin veteran, Gianluigi Buffon. Në këtë ndeshje, italiani zyrtarizoi 50 ndeshje pa pësuar gol në garën elitare të klubeve europiane.

Në “Old Trafford”, Buffon nuk pati ndonjë kërcënim serioz nga sulmuesit e Manchester Unitedit, edhe për shkak të paraqitjes mbresëlënëse të dyshes së prapavijës Presnel Kimpembe-Thiago Silva, për të mos përmendur Marquinhos, i cili bëri edhe mesfushorin.

Buffon renditet i treti në listën e portierëve që e kanë mbajtur më shumë kuadratin e tyre të paprekur në Champions League pas Iker Casillas (59 ndeshje) dhe Edwin van der Sar (51 ndeshje). Duke folur për këtë arritje personale, ish-portieri i Juventusit theksoi: “Falënderoj shokët e mi, të cilët luajtën jashtëzakonisht mirë. Ne mund të shkojmë larg. Nëse e kalojmë këtë raund, mund të përmbyllim një sezon të shkëlqyer në Champions”.

Përveç kësaj arritjeje, Buffon është tani portieri i katërt më i vjetër, që konkurron në kopeticionin më të rëndësishëm për klube, pas Marco Balottas, Mark Schëarzer dhe Oleksandr Shovkovskiyt.