Bujanoc: Kamber takon në Beograd kongresistin amerikan Eliot Engel

04.07.2019 09:28:58

 

Nga Sevdail Hyseni

Me rastin e 243 vjetorit të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në pritjen tradicionale të Ambasadorit amerikan Kyle Scott, në rezidencën e Ambasadës amerikane të akredituar në Beograd, të mërkurën e 3 korrikut, ishte i pranishëm edhe  kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, i cili zhvilloi një drekë pune me kongresistin amerikan Eliot Engel.

Nëpërmjet profilit zyrtar në facebook, kryetari Kamberi bënë të ditur se “Me Kongresistin amerikan dhe kryesuesin e Komitetit për politikë të jashtme Eliot Engel, në një drekë pune në Beograd, diskutuam për pozitën e Shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe perspektivat në bisedimet Kosovë – Serbi”.

Gjithashtu, kryetari Kamberi, nënvizon se “Kongresisti Engel asnjëherë nuk pushoi në angazhimin e tij për t’i kontribuar çështjes shqiptare”. Ky takim s’ka se si të mos lidhet me vizitën e para një muajit të z. Kamberit me bashkëpunëtorët e tij në Kongres dhe Departamentin e Shtetit në Washington DC, për të lobuar rreth bisedimeve Kosovë-Serbi dhe perspektivës së Luginës së Preshevës në ketë proces negociator.

Ligjvënësi amerikan, Eliot Engel, njëherësh kryetar i Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë i Dhomës së Përfaqësuesve, gjatë qëndrimit në Beograd, ka takuar edhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, njofton “Zëri i Amerikës”.

Në një njoftim të Ambasadës amerikane në Beograd, thuhet se ai bisedoi me presidentin serb lidhur me bisedimet me Kosovën, arritjen e paqes dhe qëndrueshmërisë afatgjate në Ballkan dhe vënien e drejtësisë për të gjitha viktimat e luftës në Kosovë.

Ligjvënësi Engel, pas vizitës në Beograd, pritet të qëndrojë edhe në Luginën e Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë dhe më pas në Kosovë ku do të marrë pjesë në manifestimet me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara dhe përurimin e ndërtesës së Ambasadës amerikane në Prishtinë, shkruan “Zëri i Amerikës”.